Diskriminohen shqiptarët
Sporti është bërë sërish pre e politikës. Serbia përpos që po e pengon Kosovën drejt ndërkombëtarizimit të sportit të saj, ka filluar t’i pengojë edhe klubet kosovare që të marrin pjesë në turne të ndryshëm ndërkombëtarë.
‘Viktima’ e fundit ishte Besa e Pejës në kategorinë e të rinjve, e cila ia pa sherrin Partizanit të Beogradit dhe iu mohua pjesëmarrja në turneun tradicional, që mbahet në Itali, ‘Coppa Gaetano Scirea’.
Me ta kuptuar se edhe skuadra kosovare ishte ftuar për të marrë pjesë në këtë turne, ekipi serb nuk e ka mirëpritur prezencën e Besës në turne për shkak të një lloji ‘epërsie ballkanike’, shkruan e përditshmja italiane ‘La Repubblica’.
Krahas Besës, sherrin Partizanit ia kanë parë edhe dy skuadra tjera ballkanike, klubi shqiptar nga Maqedonia, Renova e Tetovës dhe Zeljeznicari i Bosnje e Hercegovinës.
Gjithçka nisi normalisht, ndërsa qyteti i Materës në rajonin e Bazilicatas ishte gati për t’i pritur 16 vjeçarët që do të luanin futboll për fitimin e kupës “Scirea”. Ishte konfirmuar pjesëmarrja e serbëve edhe këtë vit përkrah skuadrave të mëdha italiane si Juventus, Inter, Roma e Lazio, sikurse dhe tri skuadrave ballkanike, Besa, Renova dhe Zeljeznicar.
Por, gjithçka u zbulua rastësisht nga vullnetari i turneut Massimo Finizio, i angazhuar për përfshirjen në konkurrim të skuadrave ballkanike, i cili vuri re se në listë nuk ishin më Zeljeznicar, Besa e Renova. Madje, ato ishin zëvendësuar me skuadra të tjera.
“Pasi këmbëngula për shpjegime, nga Komuna mësoj për një veto të Partizanit sa i përket pjesëmarrjes së skuadrave të tjera”, deklaron Finizio. Pra, Partizani nuk dëshironte pjesëmarrjen e klubeve ballkanase, ndërsa ushtroi presion përmes menaxherit të futbollistëve Vlado Borozan.
Gjërat u përkeqësuan më tej nga një e-mail i organizatorëve, përmes të cilit kërkohej pagimi i një takse regjistrimi prej 5 mijë eurosh si dhe 7500 euro tjera për shpenzimet e qëndrimit.
Kaq mjaftoi për të shpërthyer polemikat në Itali, ndërsa mediet sjellin në vëmendje se një rrogë mesatare në Bosnje është 400 euro (ndërsa situata nuk paraqitet hiq më mirë as në Kosovë e Maqedoni).
Në vijim të artikullit të saj, “La Repubblica” shkruan se t’i pengosh fëmijët shqiptarë, boshnjakë e kosovarë është një formë bojkotimi e ëndrrave.
Turneu i futbollit për të rinjtë ‘Gaetano Scirea’ filloi të luhej në vitin 1990 për nder të ish futbollistit të Juventusit, Gaetano Scirea, i cili vdiq pas një aksidenti. Ai u ndërpre për pak vite, por rifilloi sërish. Ai organizohet nga një shoqatë kulturore dhe mbështetet nga institucionet lokale.
Salihu: Ky rast e vërteton urrejtjen e serbëve ndaj shqiptarëve
Në anën tjetër, drejtuesit e futbollit kosovar kanë mbetur të befasuar me vendimin e organizatorit të turneut ‘Coppa Gaetano Scirea’, i cili përjashtoi tri ekipet ballkanike; Besa, Renova e Zeljeznicari, vetëm për t’ia plotësuar kërkesën e Partizanit. Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, thotë se në këto raste shihet më së miri fytyra e serbëve.
“Ky është një tregues i mirë se serbët kanë urrejtje patologjike ndaj shqiptarëve në çdo sferë, përfshirë këtu edhe sportin. Duhet ta dimë se sekretari gjeneral i Federatës së Futbollit të tyre është një shovinist”, tha Salihu.
Anulimin e ftesës së Besës së Pejës ai e konsideron diskriminim ndaj sportit kosovar. Salihu ka mbetur i befasuar edhe me organizatorin e turneut, i cili për t’ia dëgjuar qejfin e një ekipi hoqi dorë nga tri të tjera.