Diskutimi: Projektligji, përcaktohet masa e shpërblimit
Autori i Lajmit: M.P.Projektligji “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politike të regjimit komunist” edhe pse është miratuar në tërësi, ka pasur ndryshime në nene të veçanta të kërkuara nga anëtarët e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë. Pika më e nxehtë ka qenë heqja e nenit numër 6, që bën fjalë për funksionet dhe detyrat e papajtueshme për përfitimin e dëmshpërblimit. Heqja e këtij neni është kërkuar me ngulm nga anëtari i komisionit, Bujar Leskaj, i cili ka kërkuar heqjen e këtij neni ose në rast mosheqjeje, ka propozuar heqjen e pikave c, d dhe tek pika b të hiqet fjalia “deputet, përpara zgjedhjeve të 31 marsit 1991”. Neni 6 është hequr, edhe pse disa anëtarë të komisionit kanë qenë kundër. Anëtari i komisionit, Blerim Çela, ka propozuar që neni 7, i cili bën fjalë për dëmshpërblimin e të internuarve në kampe me tela me gjemba, të ndryshohet si vijon: “Çdo i dënuar politik nga viti 1944 deri 1991, të përfitojë dhe të dënuarit në kampe me tela me gjemba dhe të dënuarit në kampe pa tela me gjemba”. Sipas këtyre ndryshimeve, çdo person që ka vuajtur internim në kamp me rrethim me tela me gjemba deri më 1954, do të shpërblehet me 1000 lekë dita. Kurse në kampet me tela pa gjemba me 800 lekë dita. Kurse personat që kanë kryer dënim në burg, spital psikiatrik, spital burgu dhe hetuesi, do të shpërblehen me 7 mijë lekë dita, duke ulur kështu masën e shpërblimit të parashikuar më parë. Edhe ky ndryshim është miratuar nga anëtarët e komisionit, pasi ky ka qenë dhe varianti i Ministrisë së Financave, që të përfitonin të dyja kategoritë e dënimit.
Ky lajm është publikuar: 19/10/2007