E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-të burgosurit politikë, masa e shpërblimit sipas dënimeve

Autori i Lajmit: Majlinda PashollariSubjektet do përfitojnë deri në 1.000.000 lekë dhe pjesa e mbetur do shpërndahet me këste. Sipas ligjit përfiton çdo person i dënuar, i cili duhet të plotësojë 5 kritere

Qeveria do të dëmshpërblejë të gjithë ata persona, të cilët nga periudha 1944 e deri në 1991 kanë vuajtur dënimin drejpërdrejt në burgje. Pas dikutimit pak ditë më parë në komisionin e ekonomisë u arrit që spiunët e ish-komunizmit do të përjashtohen nga skema e qeverisë. Masa e shpërblimit për çdo të dënuar politik, për çdo ditë vuajtje dënimi të kryer në burg, spital psikiatrik, spital burgu, izolim në hetuesi është e barabartë në masën 2 000 lekë në ditë. Për të dënuarit me internim, në kamp me tela me gjemba, deri në vitin 1954, kjo masë është përcaktuar 1 000 lekë në ditë. Kjo masë dëmshpërblimi është përcaktuar në analogji të drejtpërdrejtë me masën e dëmshpërblimit, të përcaktuar në ligjin për kompensimin për burgim të padrejtë. Për familjarët e viktimave të ekzekutuara, për çdo viktimë, dëmshpërblimi do të jetë i barabartë me 8 vite burg. Nga verifikimet e kryera nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Brendshme rezultojnë të sakta dënimet vetëm për 11 mijë persona, nga të cilët: 5 100 dënime penale të sakta, me hyrje-dalje nga burgu, gjithsej 7 570 412 ditë (20 741 vjet) dënimi të kryera, dhe 2 000 të pushkatuar. Fatura financiare për këto dënime është 417 milionë dollarë. Gjithashtu, janë edhe (87 831 vjet) vite dënimi me burgim, të përllogaritura sipas vendimit gjyqësor, për të cilat do të verifikohet koha reale e daljes nga burgu. Pas verifikimit edhe kjo kosto duhet t’i shtohet faturës financiare, së bashku me saktësimet për vuajtjen e internimit.
Kriteret
Sipas këtij ligji, përfiton dëmshpërblim çdo person i dënuar me burgim apo internim, i cili duhet të plotësojë këto kritere:
1. Të jetë dënuar me heqje lirie apo izolim në hetuesi a në një institucion psikiatrik mjekësor, për shkak të një vendimi gjykate, të formës së prerë apo urdhrave të hetuesisë, të dhëna gjatë periudhës 30.11.1944 deri në 1.10.1991;
2. Të jetë dënuar me heqje lirie apo izolim në hetuesi a në një institucion mjekësor psikiatrik me vendim gjyqësor të formës së prerë apo urdhër të hetuesisë, për shkak të një vepre penale politike, siç përcaktohet në nenin 5, të këtij ligji;
3. Të ketë vuajtur dënim penal të padrejtë, plotësisht ose në mënyrë të pjesshme.
4. Të mos ketë asnjë cilësi, funksion apo detyrë, të përcaktuar në këtë ligj, para, gjatë apo pas vuajtjes së dënimit politik, në periudhën 30.11.1944-1.10.1991.
5. Të mos ketë kryer veprime të dëmshme, me pasoja ndaj jetës së shtetasve të tjerë, e vërtetuar kjo me vendim gjyqësor, të formës së prerë. Të njëjtat kushte janë të vlefshme edhe për dëmshpërblimin e familjarëve të viktimave të ekzekutuara.

Ky lajm është publikuar: 19/10/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›