Vizat, Raporti i KE: Shqipëria më para se Bosnja
Procesi i liberalizimit të vizave afatshkurtra me qytetarët shqiptarë po gjen një mbështetje të gjerë në gjirin e shteteve anëtare të BE që janë duke shqyrtuar raportin e vlerësimit të Komisionit Evropian për Shqipërinë dhe Bosnjën. Në të progresi për Shqipërinë është i dukshëm më i avancuar se sa ai i Bosnjës. Sipas vlerësimit të KE-së rezulton se Shqipëria ka prodhuar rreth 4 herë më shumë pasaporta biometrike sesa Bosnja. Konkretisht deri më datën 9 prill 2010, Shqipëria ka lëshuar 497 mijë pasaporta biometrike ndërkohë që Bosnja ka lëshuar 114 mijë e 625 pasaporta biometrike. Pasaportat e lëshuara nga Shqipëria përmbajnë edhe fotot dhe gjurmët e gishtave, ndërkohë që pasaportat boshnjake përmbajnë vetëm foton biometrike por janë vetëm teknikisht gati për të përmbajtur gjurmët e gishtave. Lidhur me bllokun e krimit të organizuar, Shqipëria ka ndryshuar dhe përmirësuar ligjin për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë ndërkohë që Bosnja nuk ka dhënë informacion për këtë. KE vlerëson se zyra e Interpolit në Shqipëri është e kompletuar me personel të kualifikuar ndërkohë që në Bosnje zyra e Interpolit ka nevojë për personel shtesë. Po ashtu Shqipëria ka ratifikuar konventën e OKB-së për krimin e organizuar ndërkohë që Bosnja nuk e ka ratifikuar këtë konventë. Lidhur me bllokun e kontrollit të kufijve, sipas vlerësimit të KE, sistemi TIM-s funksionon në të gjitha pikat kufitare ndërkohë që shkëmbimi i informacionit mes strukturave policore në Bosnjë bëhet rast pas rasti. Gjithsesi institucionet evropiane parashikojnë që liberalizimi i vizave afatshkurtra me Shqipërinë dhe Bosnjën do të bëhet brenda këtij viti.