E Shtunë, 31 Tetor 2026

Errësira e Nënë Terezës!

GJERGJ META 

O natë që më prive!/ Më e bukur se dita kur agon,/O natë që bashkon/ Të Dashurin me të dashurën/ E të dashurën në të dashurin e shndërron!». Ja ç’vargje i ka thurur Juan de la Cruz, (Gjoni i Kryqit) një mistik spanjoll që ka jetuar në shekullin XVI, natës së errët  që i kish kapluar shpirtin.  E po ashtu pas 4 shekujsh edhe Tereza e Kalkutës: «Nëse një ditë do të jem shenjtë, do jem një shenjtë e errësirës». Korrespondencës së saj, që ka parë dritën e botimit vetëm para dy vjetësh, Nënë Tereza i ka besuar këto fjalë që zbulojnë ekzistencën e natës së errët të shpirtit, që po përjetonte edhe ajo e jo për pak, por pothuaj përgjatë gjithë kohës që ajo ka qenë në krye të Kongregatës që themeloi.
 «Ji drita ime!»: fjalë që Nënë Tereza ka dëgjuar thellë në skutat më të thella të zemrës së saj. E kjo fjalë ka depërtuar thellë deri aty ku dhemb. Po, dhemb! Pasi për nënë Terezën kjo fjalë ka përbërë kundërshtinë e madhe në të cilën e thërriste Zoti i jetës së saj. Kundërshti, pasi ajo ka jetuar errësirën e shpirtit, natën e errët të shpirtit të shenjtërve të mëdhenj të krishterimit, por jo vetëm; e nga ana tjetër ka qenë dritë për të gjithë ata që e kanë njohur. Ajo, shenjtja e errësirës, u thirr të ishte dritë!
«Errësira është e tillë që përnjëmend nuk mund të shoh as me anë të mendjes e as me anë të arsyes. Vendi i Zotit në shpirtin tim është i zbrazur: Zoti nuk është në mua!». E megjithatë ajo shtonte «…dua vetëm Zotin në jetën time. Vepra është me të vërtetë vetëm e Tija». Shprehje që të kredhin në mendime. Fjalë që të lënë pa fjalë. Realitete ndoshta të pakuptueshëm e të paperceptueshëm për ne njerëzit e dy shekujve të verbimit teknologjik, të komunikimit online në kohë reale që, edhe pse në kërkim të përhershëm të diçkaje të thellë, mbetemi kryesisht në sipërfaqe të gjërave. Aty ku takohet çka është tërësisht njerëzore me atë çka është tërësisht hyjnore, pikërisht aty në atë vend të paperceptueshëm për ndjesi të mësuara me zhurmë, me ikje nga realiteti, me volum të lartë e me frenetizëm të papërmbajtshëm, tamam aty luhet krejt ekzistimi i një njeriu. Edhe kush nuk beson se ajo përmasë hyjnore është e pranishme brenda nesh, gjithsesi percepton që brenda tij gjendet një hapësirë e pambushur dhe vazhdimisht kërkuese, për një kuptim, për diçka më të thellë dhe autentike, të vërtetë. Ka gjithnjë brenda njeriut një etje dhe një uri për pafundësi që presin të shuhen. Aty ku mbaron njerëzorja dhe aftësia jonë për të kapur e për të kuptuar, pikërisht aty luhet me të vërtetë krejt jeta jonë. Ja çka, përtej humanizmit, kujdesit për të varfrit, të qenit gjak shqiptari, çmimit “Nobel” apo të tjera nderime e lavde njerëzore, mund të na mësojë Nënë Tereza e Kalkutës. Pikërisht gatishmëria e saj ekzistenciale për t’u takuar me atë çka i tejkalon ndjesitë njerëzore, hapja ndaj të përtejmes si një nevojë e pashmangshme e natyrës njerëzore, janë elementë që na ftojnë të kërkojmë gjithnjë e më thellë brenda nesh. In interiore hominis habitat veritas (e vërteta banon brenda njeriut) thoshte Agustini i Iponës shumë shekuj më parë. Jo gjithnjë ajo botë e brendshme e jona është e disponueshme për t’u vrojtuar apo verifikuar, pasi është dhe mbetet thelbësisht mister që do të thotë e gjerë, e gjatë dhe e thellë në përmasa të paarritshme për arsyen njerëzore. Kjo nuk duhet të çojë në shkurajim, përkundrazi i jep arsyes frymëmarrje dhe qenies tonë një dinjitet të paparë, pasi dëshmon se jemi shumë më tepër se edhe vetë gjithësia. Tereza e Kalkutës ka përshkuar në jetën e saj tokësore mijëra e miliona kilometra për përhapjen e karizmës së saj, por çka e bën atë grua të madhe në të vërtetë është rrugëtimi i saj brendësor. Agonia (lufta) që ajo ka përjetuar me errësirën e shpirtit e ka sjellë atë deri aty ku ne sot e njohim. Ajo luftë ia vlen. Nuk ishte qëllimi i saj të luftonte varfërinë. Ajo e dinte mirë se të varfrit do t’i kishte gjithmonë me vete. Por ajo luftoi deri në fund për një kuptim të gjithë asaj çfarë po bënte, sepse vetëm gjetja e kuptimit do t’i jepte vlerën e duhur gjithë veprës së saj. Ajo luftoi brenda asaj hapësire ku luhej ekzistimi i saj, në atë betejë të pakompromis dhe jetësore midis së mirës dhe të keqes. Të pakompromis pasi ajo e dinte se edhe kompromisi më i vogël ishte humbja e krejt betejës. Edhe pse e brishtë, e vogël dhe e pafuqishme ajo nuk ndjehej vetëm. Edhe kur u ndje e refuzuar dhe e papranuar ajo vazhdoi me këmbëngulje, me kokëfortësi. Dikur një i huaj pati thënë: «E besoj që Nënë Tereza ishte shqiptare, sepse ishte kokëfortë!». Përtej humorit, ajo nuk diti të ndalej: kush ndalet është i humbur! Mes dyshimesh, përpjekjesh, mundimesh e përndjekjesh, të jashtme e të brendshme, ajo ecte përpara. Ecte përpara në të mirën, sepse për të mirën ia vlen të jesh kokëfortë deri në fund, deri në dhembje. Ajo nuk e zgjidhi problemin e varfërisë në botë. Sot bota njeh edhe më shumë të varfër ndoshta se në kohën kur ajo filloi shërbimin, pasi ndërkohë janë shtuar edhe llojet e të varfërve, por ajo na la një mësim të madh: “Ia vlen të presësh dritën edhe kur përreth duket se ka rënë nata e errët”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›