E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria dhe Turqia heqin taksën e vizave në kufi

 

BLEDAR HOTI
Turqia dhe Shqipëria do të heqin taksën e vizave ndërmjet dy vendeve.
Kjo është bërë publike dje në takimin e zhvilluar ndërmjet dy ministrave të Jashtëm, të Shqipërisë, Ilir Meta dhe të Turqisë Ahmet Davutoglu. Dy homologët, shprehën vullnetin e përbashkët për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit politik, i cili do të vazhdojë me shkëmbime të tjera të rëndësishme gjatë këtij viti mes dy vendeve, sikurse është vizita në Shqipëri, në fillim të muajit dhjetor 2009, e Presidentit të Turqisë Abdullah Gül. Një vend të rëndësishëm gjatë bisedimeve, zuri edhe thellimi i bashkëpunimit midis dy ministrive të Jashtme si në nivelin bilateral, ashtu edhe në nivelin rajonal dhe atë ndërkombëtar, në veçanti në kuadër të NATO-s dhe të integrimit në Bashkimin Evropian. Si një arritje e rëndësishme dhe konkrete e këtyre bisedimeve ishte vendimi i përbashkët për përfundimin sot, me shkëmbim notash, të Marrëveshjes ndërmjet dy Qeverive respektive për heqjen pagesës së vizave për shtetasit shqiptarë e turq. “Marrëdhëniet tona vëllazërore dhe të veçanta. Miqësia jonë është e përkryer. Është në lajm shumë i mirë, për të gjithë qytetarët tanë, që ne kemi rënë dakord të hiqet pagesa për vizat, e cila është jo vetëm një kosto financiare, por mbi të gjitha edhe një barrierë psikologjike. Ne kemi rënë dakord për t’i forcuar më tej marrëdhëniet midis dy ministrive të jashtme, dhe për të zhvilluar takime dhe konsultime të vazhdueshme për të gjitha çështjet me interes reciprok, por edhe për çështje të tjera ndërkombëtare”, tha kryediplomati shqiptar. Davutoglu, i cilësoi marrëdhëniet vëllazërore mes dy vendeve të përkryera dhe shprehu vullnetin e Qeverisë turke për të thelluar bashkëpunimin diplomatik dhe për të nxitur më tej investimet turke në Shqipëri, të cilat, sikurse u shpreh ai, janë në nivelin e rreth 1 miliard USD. “Si një dhuratë e bukur në këtë ditë pushimi për të gjithë shtetasit shqiptarë, ne vendosëm që të hiqen të gjitha pagesat për vizat. Marrëdhëniet politike janë në një nivel shumë të mirë. Ne si dy ministri të Jashtme vendosëm që të thellojmë më shumë marrëdhëniet mes nesh dhe vendosëm që diplomatët e rinj shqiptarë të trajnohen në Ministrinë e Jashtme të Turqisë, dhe të përfitojnë nga përvoja jonë. Siguria dhe stabiliteti i Shqipërisë është siguri dhe stabilitet edhe për Turqinë”, tha kryediplomati turk.
Vizita në Shkodër
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu i shoqëruar nga homologu i tij Ilir Meta bëri dje pasdite një vizitë në qytetin e Shkodrës. Ka qenë një dëshirë e vetë ministrit turk Davutoglu që të shohë edhe një qytet tjetër jashtë Tiranës dhe për këtë ai ka zgjedhur Shkodrën, një qytet që ka një emër të mirë në këtë shtet. “Vizita e tij në Shkodër u bë pasi ky qytet ka një lidhje të veçantë me Turqinë dhe për ne Shkodra është një qytet vëlla.  Jam këtu për t’i sjellë Shkodrës përshëndetjen e 72 milionë vëllezërve turq”, tha Davutoglu. Më tej, ministri i Jashtëm është shprehur se “Turqia është e interesuar për investime në Shkodër dhe në të ardhmen shpresojmë që bashkëpunimi të jetë sa më efikas”. Zëvendëskryeministri, Ilir Meta u shpreh se ardhja  ministrit të Jashtëm turk në Shkodër flet për interesimin  e këtij shteti për Shkodrën, ku shumë kompani turke kanë shtrirë biznesin dhe investimet turke në këtë qytet mendohet që të rriten.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›