Distancohet nga vrasja
Pesë ditë pas tragjedisë në Banjë të Malishevës, ka vendosur të flasë Gani Krasniqi, ish-kryetar i kësaj komune, tre djemtë e të cilit janë të arrestuar në mesin e 13 personave, si të përfshirë në vrasjen e Skënder Limajt. Krasniqi, i cili në zgjedhjet e 12 dhjetorit ishte kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, është distancuar nga vrasja e Limajt, duke iu shprehur ngushëllimet më të thella familjes së të ndjerit.
Në një letër të hapur, Gani Krasniqi duket se nuk ka mundur të përmbahet edhe nga emocionet. Ai ka thënë se vrasja e Limajt nuk është bërë me vetëdije të tij, e as të djemve të tij. “Unë ju them si njeri dhe si shqiptar, se as nuk është bërë me vetëdije nga ana ime kjo vepër, e besoj edhe nga ana e djalit, i cili edhe tashti e ndjen thellë peshën e pendimit, sepse e ka edhe edukatë familjare që të mos e vrasë shqiptarin”, shkruan ndër të tjera Gani Krasniqi.
“Mirëpo, vrasja ka ndodhur! Organet e pavarura të drejtësisë, nëse janë të tilla, e nëse nuk janë sot, doemos do të bëhen një ditë, do ta vërtetojnë se unë si individ nuk kam dorë në këtë vepër të rëndë të vrasjes së një shqiptari, kushdo qoftë ai”, shkruan Krasniqi. Duke i shprehur ngushëllime të thella familjes së të vrarit Skënder Limaj dhe duke rrëfyer se bashkëndjen me dhimbjen e asaj familjeje, Krasniqi shpreh keqardhjen e tij për këtë rast. “Marr pjesë në dhembjen e tyre, jam pjesë e asaj dhembjeje, sepse e kam provuar personalisht një dhembje të tillë, kur humb familjarin. Djali im është pjesë e kësaj tragjedie që ka ndodhur në familjen Tuaj”, shkruan më tej Gani Krasniqi në këtë letër.
“Por edhe një herë, familjes së të ndjerit i kërkoj ndjesë, edhe në emrin tim, edhe të familjes. Kjo vepër nuk është kryer me dëshirën dhe dijeninë time”, shkruan Krasniqi, i cili sqaron se ka heshtur deri më tash, për të respektuar dhembjen e madhe që ka pasur familja që i është vrarë anëtari i saj, e po ashtu ka heshtur, derisa është kryer ceremonia e varrimit. Por këtë çështje nuk ka mundur më ta durojë, duke parë e lexuar opinione të ndryshme në media rreth vrasjes në hotel “Kështjella”, ku tre djemtë e tij janë të arrestuar si të përfshirë në vrasje.
Por nëse familjes së të ndjerit i shpreh ngushëllime dhe shpreh keqardhje, Gani Krasniqi nuk mban qëndrim të tillë ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, e në veçanti Isni Kilajt, kryetarit aktual të Komunës së Malishevës nga radhët e kësaj partie. “Njeriu e kupton se cilat segmente të politikës së ditës duan ta shfrytëzojnë tragjedinë e familjes së Skënder Limajt, për të njollosur, për të denigruar edhe kombëtarisht një familje tjetër, e në fund të fundit edhe mua personalisht”, shkruan Gani Krasniqi. I kontaktuar nga Expressi, Isni Kilaj, kryetari aktual i Malishevës, tha se nuk dëshiron të merret fare me Gani Krasniqin. “Nuk e komentoj atë letër. Është mirë që ky rast të mos të politizohet, meqë është shumë i rëndë”, tha shkurt Kilaj, pavarësisht se disa ditë më parë, përmes një komunikate për opinion, deklaroi se ngjarjes sё 1 janarit i parapriu politika nxitëse e deklaratave tё Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcёs.
Por të mërkurën, as nga Lëvizja Vetëvendosje nuk deshën të flasin rreth deklaratave dhe kundërdeklaratave të Kilajt dhe Krasniqit, në lidhje me këtë tragjedi. “Nuk e komentoj letrën e Krasniqit”, tha shkurt Glauk Konjufca për Express. Pavarësisht kësaj, letra e gjatë e Gani Krasniqit drejtuar opinionit, vazhdon me shpjegimet e tij se ai dikur ka qenë kryetar i Komunës së Malishevës, i zgjedhur nga vota e qytetarëve të saj. “Jam baba dëshmori. Por nuk kam qenë i dëgjueshmi i këtyre segmenteve të kësaj politike kriminale”, thuhet në letrën e tij, sipas të cilit, ka qenë i pari që ka argumentuar publikisht se çfarë lojërash bëhen për ta bërë pjesë të krimit familjen, atë dhe jetën e tij.
“...Gjë që, kuptohet, nuk e kam pranuar me asnjë çmim. Këto dhe fakte të tjera, do të bëhen publike, jo vetëm që të dihet struktura e këtyre segmenteve kriminalizuese, por të shihet se deri ku kanë arritur t’i fusin duart e tyre të zhytura në krim, për të luajtur me jetën e njerëzve”, shkruan Gani Krasniqi, duke mos lënë pa përgjegjësi as policinë dhe sistemin e drejtësisë në vend. “Organet e pushtetit e pranojnë se kanë shpëtuar jetën e një njeriu më 12 dhjetor 2010, pasi kanë ndërhyrë dhe ia kanë marrë armën atij që ishte i porositur të vriste, e mbajnë vetëm pesë ditë në arrest dhe e lirojnë, thuajse nuk ishte rrezikuar jeta e njeriut. Deri këtu kanë arritur duart që po kriminalizojnë jetën tonë, deri në organet e policisë dhe të gjyqësorit, që vrasësin në tentativë e lirojnë krye pesë dite”, shkruan Gani Krasniqi, i cili, duke e përfunduar letrën, shkruan se “edhe tash, kur jam kandidat për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje për Kuvendin e Kosovës, siç tërë jetën që kam luftuar pushtuesin e tokave të atdheut tim dhe, të mos ketë vrasje në mes të shqiptarëve, do të luftoj që atdheu të bëhet i tëri”.
Në lidhje këtë rast, Policia e Kosovës ka arrestuar të martën Shpejtim (Selim) Zogajn, nga fshati Lladrovc i Malishevës. Me prangosjen e këtij personi, numri i të arrestuarve arrin në 13 veta. Përveç tyre, Policia thotë se është në kërkim edhe të një personi tjetër.
Paraburgim
Gjykata e Qarkut në Prizren u ka caktuar nga 30 ditë paraburgim 12 të arrestuarve, në mesin e të cilëve janë edhe tre djemtë e Gani Krasniqit, ish-kryetarit të Malishevës, i cili në zgjedhjet e 12 dhjetorit të vitit të kaluar ka konkurruar në listën e Lëvizjes Vetëvendosje për deputet.