Sllovakia pret hetime ndaj Thaçit dhe nisjen e bisedimeve
Shefi i diplomacisë sllovake, Mikulas Dzurinda, pret hetimin e akuzave ndaj kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për trafikim organesh.
“Ashtu siç e ka Serbia detyrim bashkëpunimin e plotë me Tribunalin Ndërkombëtar për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi, i njëjti standard duhet të vlejë edhe për palën tjetër”, ka thënë ministri i Jashtëm sllovak.
Sipas tij, dyshime e ngritura në raportin e Dick Martyt janë serioze dhe duhet të hulumtohen në hollësi.
Ministri sllovak ka thënë se pret që diskutimi për raportin e senatorit zviceran, të caktuar më 25 janar në Këshillin e Evropës, të jetë i hapur, dhe që në fund të miratohen konkluzionet.
Dzurinda pret nisjen e bisedimeve
Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Dzurinda, ka thënë se udhëheqja e re e Kosovës duhet sa më parë të formojë ekipin negociator dhe të ulet në tryezën e bisedimeve me Serbinë.
"Është në interesin tonë, sot jam bindur që është edhe në interesin serb, e besoj se është edhe në interes të Prishtinës, që këto bisedime të fillojnë dhe të jenë produktive", është shprehur ai.
Sipas tij, qëllimi është i qartë që "të arrihet marrëveshja dhe zgjidhja, e cila do të jetë paqësore, e përhershme dhe e qëndrueshme".