E Hënë, 2 Nëntor 2026

Distrikti detar, premton gjetjen e të mbyturve

04/03/2005  Babë e bir u mbytën një javë më parë

DURRËS - Kërkimet për gjetjen e Pjetër Vathit dhe Eugen Vathit,

babë e bir, do të vazhdojnë deri në gjetjen e tyre.

Burime të distriktit detar të Durrësit kanë deklaruar, përmes

zëdhënësit se, pas kërkimeve në sipërfaqe me helikopterë dhe mjete lundruese të të mbyturve, një motovedetë e Rojes Bregdetare nuk do të reshtë së kërkuari, derisa trupat e dy pjesëtarëve të familjes Vathi, nga fshati Shën Pjetër, të nxirren nga deti.

Babë e bir janë mbytur pesë ditë më parë, në kohën që skafi plastik i tyre është përmbytur nga dallgët e mëdha.

Megjithëse Pjetër Vathi, 37 vjeç dhe djali tij Eugeni 12-vjeçar kanë qenë jo më shumë se 1.5 milje larg bregut, në derdhje të Ishmit, moti i keq, era e fortë dhe dallgët i kanë fundosur në fund të detit. Ndonëse nuk ka mungur ndërhyrja e menjëhershme nga policia dhe banorët e fshatit, ka qenë e pamundur nxjerrja nga deti, pasi moti që prej 5 ditësh ka qenë i papërshtatshëm.

Pas ngjarjes, një helikopter dhe dy mjete lundruese janë vënë në kërkim të trupave, por edhe pas dy ditë kërkimesh nuk është bërë e mundur identifikimi i vendit të mbytjes. Për këtë arsye roja bregdetare me ndihmën e Komandës së Forcave Detare të dislokuara në Vlorë ka vënë në veprim motovedetën R-117 me dy zhytës.

Sipas zëdhënësit të Distriktit Detar Durrës, Shefqet Kërcelli, mësohet se në planin operacional është vendosur që kërkimet të shtrihen në një brez nga 500 m deri në 1500 m larg brigjeve. Operacionet, të cilat do të ndërpriten vetëm kur trupat e dy të mbyturit t’u dorëzohen familjarëve, janë paraprirë nga studimi i

lëvizjes së rrymës detare.

Specialistë të kësaj fushe mendojnë se viktimat pas mbytjes janë marrë nga rrymat dhe drejtimi i erës në kohën e mbytjes është bërë objekt i studimit për të përcaktuar me përafërsi vendin e mbytjes së tyre. Aktualisht në vend kanë filluar kërkimet nga një polumbarist i rëndë dhe një zhytës i lehtë, thellësia është 20-70m. Gjithsesi ekspertët e operacioneve të tilla mendojnë se me futjen në kërkim të motovedetës dhe të dy zhytësve shumë të kualifikuar dhe me përvojë të veçantë në operacione të tilla, do të bëhet e mundur që në një kohë të shkurtër babë e bir të nxirren nga thellësia e detit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›