E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjika: KRRTSH të prishë hotelin e Sulo Shehut

04/03/2005  Debat në KRRT e Vlorës pa marrë vendim

VLORË - Një kërkesë të pazakontë ka përcjellë dje Këshilli i Rregullim Territorit të Bashkisë së Vlorës, kur nga anëtarët e saj si dhe kryetari i Bashkisë, Shpëtim Gjika, është kërkuar në rend të ditës që të prishet hoteli i biznesmenit të njohur, Sulo Shehu, pasi ky i fundit, sipas bashkisë, e ka lënë pa ndërtuar qendrën e qytetit.

Kërkesa

Sipas burimeve nga Bashkia e Vlorës, mësohet se kreu i saj, Gjika, ka thënë dje, gjatë mbledhjes së KRRT, se nuk mund të lihet qendra e qytetit të Vlorës, e cila është dhe qendra e dytë për nga rëndësia në shkallë vendi, pas sheshit “Skënderbej” në një gjendje të tillë skandaloze, siç është tani, për tekat apo kapriçiot e një njeriu të vetëm. “Do t’i kërkoj KRRTSH që të të ristudioj qendrën e qytetit për të prishur hotelin në fjalë e mbasi të miratohet nga Këshili i Rregullimit të Territorit të Shqipërisë do kërkohet nga kryetari i bashkisë një kompani ose studio e huaj për të rishikuar studimin e qendrës së qytetit, e pikërisht zonës së sheshit të “Flamurit”, ku ndodhet dhe hoteli në fjalë për të realizuar një studim bashkëkohor për t’i rezistuar kohërave si dhe për të mos cënuar me këtë zonë asnjë nga vlerat historike për qytetin e ato kombëtare.

Debatet

Po sipas të njëjtave burime nga bashkia e Vlorës mësohet se debate ka pasur midis anëtarëve opozitarë, të cilët e shikojnë sipërmarrjen në fjalë një sulm të qëllimtë e politikë, pasi dihet mjaft mirë mbështetja e biznesmenit Shehu për degën e PD-së së Vlorës. Por edhe pse debatet nuk munguan, ata që nuk kishin dijeni për këtë veprim të bashkisë Vlorë, ishin pikërisht pronarët e “lakuar” gjatë mbledhjes së djeshme, familja Shehu, të cilët vetëm nëpërmjet lajmeve të mediave lokale kanë mësuar për veprimin në fjalë. Shpëtim Gjika ka deklaruar para anëtarëve se është ndikuar dhe nga vizita e Kryeministrit Nano para disa muajsh, i cili ka kërkuar që bashkia, së bashku me pronarin e hotelit të bashkëpunojnë e të gjejnë gjuhën e përbashkët në zgjidhjen e problemeve e rifillimin e investimit nga pronari Shehu. Sipas Gjikës, janë bërë përpjekje të vazhdueshme nga ana e tij si kreu i bashkisë, për të gjetur një zgjidhje me pronarin Shehu, por deri më sot kjo gjuhë nuk ka rezultuar pozitive. Më pas, Gjika ka deklaruar, edhe pse ka kërkuar hapësirat ligjore për të detyruar pronarin e hotelit të kryejë investimin sa më shpejt e sa më mirë, por hapësirat ligjore për këtë qëllim nuk ekzistojnë në legjislacionin shqiptar. Kjo gjë ka detyruar kryetarin e bashkisë të kërkojë në mbledhjen e KRT prishjen e hotelit 11-katësh, si dhe shpronësimin e biznesmenit Sulo Shehu e rishikimin e studimit të qendrës së qytetit nga KRTRSH, duke marrë pjesë edhe studio të huaja.

Histori

11-katëshi që nuk u mbarua në 20 vjet

Hoteli 11-katësh ka filluar të ndërtohet në vitit ‘86, por pas ndryshimeve të viteve ‘90 u la në mëshirë të fatit. Rreth viteve ‘94, ky hotel u ble nga firma piramidale VEFA. Pas falimentimit të firmave, hoteli 11-katësh blihet nga biznesmeni Sulo Shehu me vlerën 1 milion dollarë nga transparenca e firmave piramidale. Por, edhe pas shitjes së hotelit, nuk kanë reshtur përplasjet midis bashkisë dhe pretenduesve si pronar të vjetër të tokës, kundrejt Sulo Shehut, i cili e bleu pas ‘97. Gjatë viteve 2000, biznesmeni filloi investimet për hotelin e lënë përgjysmë, por nga ana e bashkiakut Niko Dredha, iu kërkua pronarit që të lirojë rreth 70 metra trotuar, edhe pse ky i fundit ia kishte shitur po vetë biznesmenit Sulo Shehu. Problemi u zgjidh vetëm nga gjykata, e cila dha vendim në favor të pronarit. Por ky problem solli ndërprerjen e investimit nga pronari për një kohë më të përshtatshme.

Reagimi i familjes Shehu

Agron Shehu

“Lajmin e mësuam nga media”

Fillimisht i vëllai, Agron Shehu, ka pohuar se për çka është diskutuar në mbledhjen e djeshme të bashkisë e ka mësuar nga media e as që nuk kishte dijeni për diçka të tillë. “Është pa dyshim një veprim i ulët i pushtetit lokal, pohoi dje Agron Sulo, pasi ky pushtet vazhdon të sulmojë biznesmenët e djathtë. Edhe vetë ky shtet na shiti rreth 10.000 m tokë e ndërtesën e lënë përgjysmë, ata përsëri na kërkuan që t’u rikthenim 70 m padrejtësisht. Tashmë na kërcënojnë me prishjen e shpronësimin e objektit. Dua t’ju them përfaqësuesve të bashkisë se ka ikur koha e shpronësimeve ndaj pronarëve”.

Sulo Shehu

“Do hedh bashkinë në gjyq”

Biznesmeni Sulo Shehu ka qenë në udhëtim drejt Italisë kur ka mësuar lajmin në fjalë e ka pohuar për gazetën se, “askush nuk mund të më marrë pronën time që e kam blerë konform rregullave të shtetit, që më sulmon vazhdimisht. Ky shtet le të shqetësohet kur më rrëmbejnë nipin e jo më të shqetësohen kur më prishin e më marrin pronat. Ju bëj me dije se askush nuk më kërcënon në pronën time dhe këto janë haptazi sulme politike, që unë tashmë jam mësuar e nuk më prishet shumë punë. Do rikthehem shumë shpejt nga Italia dhe do të padisë bashkinë në gjykatë për këtë veprim”, ka përfunduar dje biznesmeni Sulo Shehu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›