Rikthehen mashtrimet me lotaritë false, tani në telefonat fiks
RRËSHEN - Edhe pse prej dy vitesh që të gjithë numrat celularë janë të regjistruar sipas ligjit, mashtruesit e kartave telefonike nuk kanë ngurruar që të vijojnë lojën e tyre për përfitime të paligjshme, por kësaj radhe kanë vënë në shënjestër numrat fiks. Rasti më i fundit ka ndodhur në orët e mëngjesit të djeshëm në lagjen Kolsh të qytetit të Rrëshenit, ku shtetasja M. P. ka rënë pre e mashtrimit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se rreth orës 08:45, në numrin fiks 0216 2461 ka rënë një zile telefoni, e cila ka njoftuar se ky numër është përzgjedhur si fitues në një lojë të zhvilluar nga “Digi....”. Telefonuesi i ka mashtruar duke iu thënë se janë përfitues të një aparature “Digit....” me 1 vit mbushje dhe të një shume prej 2 mijë eurosh. Zëri në telefon ka thënë se për ta konfirmuar këtë fitore do të marrë vetë drejtori i “Digit...”. Nuk ka vonuar as pesë minuta kur në numrin fiks ka rënë zilja dhe telefonuesi kësaj radhe është paraqitur si drejtori i kompanisë. Ai i ka kërkuar të zonjës së shtëpisë që nesër të paraqitej me pasaportë në dorë për të tërhequr shumën e eurove të fituara pranë zyrave të “WU” në qytetin e Rrëshenit. Por më parë duhej që ajo të blinte gjashtë karta AMC dhe të deklaronte në telefon numrat e tyre. Kaq ka mjaftuar dhe pronarja e shtëpisë ka blerë menjëherë gjashtë karta telefoni dhe ka vepruar siç i ka kërkuar telefonuesi. Por duket se gracka e parë ka shtuar oreksin e mashtruesve telefonikë, të cilët kanë vijuar duke i premtuar “fitueses” se nëse blen edhe dhjetë karta të tjera rimbushëse të operatorëve celularë, shuma e fituar do të rritet edhe me 1100 euro të tjera; pra shuma totale e fituar shkonte në 3100 euro. Pikërisht këtu ka nisur edhe dyshimi i personit që ka rënë në grackën e lojës mashtruese. “Viktima” me inicialet M. P. thotë se e ka konfirmuar një gjë të tillë te agjencia e transfertave të parave dhe ata i kishin thënë se ka rënë pre e mashtrimit. Të njëjtën përgjigje ka marrë edhe nga operatori celular. Madje ka arritur të identifikojë edhe numrat e telefonit, por që nuk përgjigjej askush. M. P., pohon se ditën e martë do të bëjë denoncimin në prokurori për mashtrimin që i është bërë.
Bie nga ura dhe mbytet në lum babai i 6 fëmijëve
RUBIK – Banorë të fshatit Rreja e Zezë në Bashkinë e Rubikut kanë gjetur në orët e para të ditës së djeshme trupin e pajetë të një banori të këtij fshati, i cili dyshohet të jetë mbytur në ujërat e lumit Fan. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Lezhës bëjnë të ditur se viktima është shtetasi Ndue Ndoj, i moshës 55 vjeç. Viktima është parë në këmbët e një ure që të çon në fshat. Menjëherë është njoftuar policia, e cila ka nisur hetimet në lidhje me shkaqet e vdekje së 55-vjeçarit. Nga të dhënat zyrtare mësohet se vdekja e të ndjerit ka qenë aksidentale, në kushtet e humbjes së ekuilibrit gjatë kalimit në urë mbrëmjen e së dielës. Ndue Ndoj është baba i gjashtë fëmijëve dhe ka punuar për disa vite në Ndërmarrjen e Gjeologjisë së Rubikut. Ai njihej si mjeshtër në prodhimin e saldatriçeve artizanale. Pasi policia ka përfunduar këqyrjen e kufomës dhe të vendit ku ka rënë 55-vjeçari, të afërmit e kanë marrë për të zhvilluar ceremoninë mortore në fshatin Rreja e Zezë në Rubik. Për të shkuar në fshatin ku banonte viktima, duhet të kalosh nëpër një urë, e cila është në gjendje skandaloze. Banorët e fshatit Rreja e Zezë kanë kërkuar që shteti të investojë për riparimin e saj, pasi është dëmtuar gjatë këtyre viteve dhe përbën rrezik për jetën e fshatarëve. Rasti i fundit është një shembull për të ndërhyrë shteti që ngjarje të tilla të mos ndodhin më në këtë zonë.
2 Dhjetor 2008