E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fundjavë e përgjakshme në Tiranë dhe Durrës, dy të vdekur dhe 5 të plagosur



Fundjavë e përgjakshme si pasojë e aksidenteve automobilistike që kanë ndodhur në rrethet e Tiranës dhe Durrësit. Burimet policore raportojnë për të paktën 6 aksidente, të cilat kanë përfunduar me një bilanc; dy të vdekur dhe të paktën 5 persona të tjerë të plagosur, ku tre prej tyre janë në gjendje kritike për jetën. Sipas të dhënave zyrtare të policisë së kryeqytetit, shtetasi Muhamet Karaj humbi jetën pasi është përplasur nga makina tip “Benz”, me targa DR 1234 D, e drejtuar nga shtetasi Leonard Nasufi, 52 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Durrës. Drejtuesi i mjetit është ndaluar nga policia për aksidentin me pasojë vdekje që ndodhi në aksin fshatin Fushë Prezë dhe po hetohet për “shkelje të rregullave të qarkullimit. Po të njëjtën ditë ka gjetur vdekjen shtetasja Mirela Basha, ndërsa është plagosur rëndë Ardian Baraliu, pasi këta persona janë përplasur me mjetin e tyre tip “Benz”, me targa TR 20 90 D, me autobusin me targa VL 7069 C. Policia ka nisur hetimet ndaj 43-vjeçarit Babaliu, lindur në Skrapar dhe banues në Tiranë. Ngjarja ndodhi në segmentin rrugor “Ndroq – Tiranë” dhe dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia e makinës së drejtuar nga Baraliu, i cili pritet të hetohet për “shkelje të rregullave të qarkullimit”. Ndërsa në Durrës, në zonën turistike të Shkëmbit të Kavajës, ka mbetur e plagosur shtetasja Z. Hasa, lindur dhe banuese në zonën bregdetare. 32-vjeçarja është përplasur nga mjeti tip “Benz 560”, i drejtuar nga Nazmi Mulla, lindur në Fier dhe banues në Vlorë. Ngjarja ndodhi në zonën e ish-tregut të makinave. E aksidentuara ndodhet në spitalin e Durrësit në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa ndaj Mullës kanë nisur hetimet nga prokuroria e rrethit. Policia e Qarkut të Durrësit raporton edhe dy aksidente të tjera, të ndodhura gjatë 48 orëve të fundit në komunën e Xhafë Zotajt, ku kanë mbetur të plagosur rëndë shtetasit Bujar Muça dhe Lufti Minja. Pas hetimeve të para u bë ndalimi vetëm i njërit nga ngjarjet e ndodhura. Zëdhënësja e Policisë së Durrësit thotë se kanë nisur hetimet në gjendje të lirë edhe për 15-vjeçarin D. K., pasi ai ka dëmtuar mjetin e pronarit të tij, Lisandër Pula, me targa DR 8584 D, pasi e ka përplasur teksa po e zhvendoste brenda lavazhit.

TË ASKDENTUARIT
Muhamet Karaj, i vdekur, - Tiranë
Mirela Basha, e vdekur, - Tiranë
Ardian Babaliu, i plagosur, - Tiranë
D. K., i plagosur, - Durrës
Z. Hasa, e plagosur, - Durrës
Bujar Muça, i plagosur, - Shijak
Lutfi Minja, i plagosur, - Shijak

2 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›