E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpallet lista e familjeve të dëmtuara nga tragjedia e Gjirokastrës



GJIROKASTËR- Këshilli i Qarkut të Gjirokastrës zyrtarizoi dje listën emërore të familjeve të dëmtuara nga shembja e pallatit në lagjen “11 Janari”, ku humbën jetën tre njerëz mesditën e 9 nëntorit. Jorgo Nikolla, specialist për Emergjencat Civile në Këshillin e Qarkut të Gjirokastrës, pohoi se vlera e dëmit arrin në 80 476 960 lekë, duke llogaritur dhe pajisjet shtëpiake. “Pesë specialistë, tre nga Këshilli i Qarkut të Gjirokastrës dhe dy nga Agjencia Rajonale e Legalizimeve, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave të Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), hartuan dje një raport prej 70 faqesh për 18 familjet e prekura nga tragjedia e Gjirokastrës. Ky dokument do të mbërrijë shumë në Ministrinë e Brendshme”, tha Nikolla. Sipas tij, dëmi nga shembja e pallatit vlerësohet me 59 276 960 lekë, ndërsa dëmi për pajisjet shtëpiake arrin në 21 200 000 lekë. Familjarët e prekur nga tragjedia e 9 nëntorit përfituan ndihma financiare nga Prefektura e Qarkut dhe nga Bashkia e Gjirokastrës. Nga hetimet e deritanishme është arritur në përfundimin se pallati 5-katësh i ngritur në një kodër, u shemb për shkak të punimeve për ndërtimin e një godine të re pranë tij. Deri tani për këtë ngjarje janë arrestuar dhjetë punonjës të Bashkisë së Gjirokastrës dhe të firmës që po ndërtonte pallatin e ri, ku 8 prej tyre ndodhen në gjendje arresti në Burgun e Bënçës, ndërsa 2 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.

PËRTEJ LAJMIT
Policia antikomunitet

Drejtuesit e uniformave blu çirren me të madhe dhe bëjnë fushata për policimin në komunitet, një përvojë kjo e marrë nga europianët dhe amerikanët, por që ende nuk është përshtatur si duhet për një vend si ky i yni, ku toleranca, falja, kujdesi, trajtimi brenda kuadrit ligjor është ende larg standardeve ndërkombëtare. Rasti i Sarandës, ku një i ri u keqtrajtua nga policia, tregon pikërisht papjekurinë profesionale të uniformave blu. Rasti në fjalë u bë kallëzues kur Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, ndërhyri që të denonconte dhunën policore, madje kjo ndikoi absolutisht në “lëvizjen” e institucioneve shtetërore. E para reagoi kryeprokurorja, e cila deklaroi se ngjarja në fjalë do të hetohej dhe më pas drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit pezulloi nga detyra inspektorin e dhunshëm, madje ia autorizoi Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm për verifikimin e akuzave të ngritura nga Avokati i Popullit. Pak pas hetimeve të SHKB-së oficeri përfundoi në prangat e kolegëve të vet me akuzën e “abuzimit me detyrën”. Oficeri gjyqësor kishte këmbëngulur që ta detyronte 19-vjeçarin të pranonte se ishte ai dhe një shok i tij shoqërues i klandestinëve që ishin përgatitur të kalonin ilegalisht kufirin me Greqinë. Madje, ishte marrë në pyetje edhe një fëmijë 8-vjeçar për ta deponuar këtë. Edhe nëse do të kishte qenë kështu askush nuk ka të drejtë të vërë dorë mbi qytetarët, aq më keq një ruajtës i rendit, person me uniformë dhe për më keq që paguhet për të na siguruar jetën. Rasti në fjalë është flagrant dhe uniformat blu duhet të nxjerrin mësime, ashtu siç ato kërkojnë korrektësi në zbatimin e ligjit nga qytetarët, duhet të kenë vullnetin e mirë për ta zbatuar atë vetë ligjin të parët, që të mos kemi raste si ai i adoleshentit që tashmë ndodhet në situatë shëndetësore të rëndë në Spitalin e Burgut, vetëm pse dhuna e ushtruar prej tij ka qenë më shumë kriminale se kundërvajtja penale që ai dyshohet se e ka kryer.

15 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›