E Diel, 1 Nëntor 2026

Studentët e Vlorës, zbutet konflikti rektorat-ministri

 

zirina llambro

Zbutet konflikti mes MASH dhe drejtuesve të universitetit të Vlorës. Ka qenë Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, i cili mblodhi dje 11 rektorët e të gjithë Institucioneve publike të Arsimit të Lartë. Kreu i universitetit të Vlorës, Tanush Shaska, nuk ishte i pranishëm në takim. Në vend të tij këtë institucion e përfaqësonte zv.rektori Eustrat Zhupa. Regjistrimi i studentëve ka qenë temë e diskutimeve në takimin e djeshëm. Këtë fakt e pohoi edhe Ministria e Arsimit. Ndërkaq i kontaktuar nga gazeta me telefon, zv.rektori Zhupa nuk foli me tone të prera siç ka bërë deri tani kreu i universitetit, Shaska. ”Regjistrimi i studentëve ishte temë e diskutimeve por nuk është marrë ende asnjë vendim”, tha Zhupa për gazetën. Sipas tij, gjithçka do të bëhet e ditur në kohën e duhur. Kjo deklaratë tregon zbutje disi të toneve mes institucioneve. Dy ditë më parë qindra studentë protestuan brenda ambienteve të universitetit të Vlorës, për të drejtën që u është mohuar. Ata nuk pranohen nga universiteti për shkak të mesatares nën 6, edhe pse janë shpallur fitues. Në një reagim të menjëhershëm në faqen zyrtare të këtij universiteti, rektori Shaska deklaroi se askush nuk do të futet me dhunë në auditorë. Duke i qëndruar deri në fund urdhrit të tij, për të mos i pranuar studentët, rektori “sfidoi” në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe Ministrinë e Arsimit, duke e cilësuar si nxitëse të dhunës. Ai iu referua deklaratës së drejtoreshës së politikave arsimore në MASH, Elida Hoxha. Ajo në emër të dikasterit garantoi studentët se figurojnë të regjistruar në listat paraprake të agjencisë së pranimit në shkollat e larta (APRIAL). Sakaq në takimin e tij të parë me rektorët, ministri Tafaj u angazhua dje për një mbështetje të ministrisë në punën e universiteteve dhe tha se: “Ky është takimi ynë i parë i punës për fillimin e vitit të ri akademik. U mblodhëm që të diskutojmë bashkë për disa probleme, që kanë të bëjnë me përgatitjet për fillimin e vitit të ri akademik, mbështetja që ju duhet nga ana e MASH-it, për problemet e regjistrimeve të studentëve”, tha Tafaj. Nga ana e tyre, krerët e universiteteve publike në vend siguruan bashkëpunimin e ngushtë e institucional me MASH-in, për realizimin e reformave në Arsimin e Lartë. Ata kërkuan një konsultim më të gjerë me universitetet, por edhe aktorë të tjerë të interesit, me qëllim hartimin dhe zbatimin e plotë të direktivave të MASH dhe qeverisë në këtë fushë. Tema të takimit të sotëm, zhvilluar në Ministrinë e Arsimit, kanë qenë regjistrimet në universitete, infrastruktura dhe investimet në këto institucione, por edhe çështje të veçanta, siç ishin miratimi i programeve të studimit dhe akreditimi i universiteteve.

Kaçani: Rektori i Vlorës ka shkelur ligjin e Arsimit

“Rektori i Universitetit të Vlorës ka shkelur jo vetëm ligjin për Arsimin e Lartë, por edhe vendimin e qeverisë”. Këtë deklaratë bëri dje kreu i konferencës së rektorëve Jorgaq Kaçani. Sipas tij, çdo drejtues institucioni publik të arsimin është i detyruar për ta zbatuar këtë detyrim ligjor të Arsimit të Lartë. “Urdhrat e ministrisë, të bazuara edhe mbi vendimet e qeverisë janë detyrime”, tha Kaçani. Pas protestave të të rinjve, që kërkojnë të regjistrohen, rektori Tanush Shaska ka deklaruar se do të mbyllë universitetin dhe nuk do të lejojë askënd që të futet në auditore. Ky vendim, sipas Kaçanit, është në kundërshtim me të gjitha ligjet dhe parimet. “Ministria e Arsimit duhet të ndërhyjë menjëherë që në këtë institucion shtetëror të zbatohen të gjitha ligjet e shtetit shqiptar”, tha kreu i konferencës së rektorëve. Ndërkaq, veç urdhrit të nxjerrë nga ministri i ri, Myqerem Tafaj, për të pranuar në universitet të gjithë studentët fitues, MASH mund të propozojë shkarkimin e rektorit të universitetit, në rast se ai nuk e zbaton atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›