E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN-ja zbeh entuziazmin e qeverisë për rritjen ekonomike



Fondi Monetar Ndërkombëtar ka zbehur dje edhe entuziazmin e qeverisë për një rritje ekonomike dyshifrore. Përfaqësuesja e FMN-së në vendin tonë, Westin, deklaroi dje se “rritja ekonomike në Shqipëri për vitin 2008 ishte vetëm 6.8 për qind”. Kjo deklaratë bien në kontradiktë me deklaratën e bërë vetëm pak kohë më parë nga kryeministri Berisha, i cili këmbënguli për shifrën e rritjes ekonomike 9.9 për qind. Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes që i jep fund programit 3-vjeçar të fondit, në vendin tonë, përfaqësuesja e misionit, An Margret Westin, theksoi: "rritja ekonomike deri në fund të shtatorit 2008 ka qenë 10 për qind. Për sa i përket vitit 2008 ne i qëndrojmë parashikimit të rritjes 6.8 për qind. Kjo, pasi në tre muajt e fundit të vitit janë vënë re shenja të ngadalësimit të ekonomisë dhe kriza ka ndikuar më shumë në Shqipëri". Duke i'u shmangur debatit me FMN-në, edhe pse e bëri këtë publikisht me ministrin Bode, kryeministri Berisha edhe këtë herë e gjeti problemin e mospërputhjes së shifrave. Kryeministri jo vetëm që ka këmbëngulur sërish në versionin e rritjes dy-shifrore, por ka renditur edhe arsyet që sipas tij çojnë në këtë konkluzion. Sipas tij, “hapja e 4 mijë bizneseve të reja, rritja e eksporteve dhe formalizimi i ekonomisë sollën rezultatin e kënaqshëm”.

BERZH: “Ekonomia shqiptare në vështirësi, -2.8% rritja në maj”

Ritmi i rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë vlerësohet në ulje. Sipas raportit prognozë të Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH), trendi i zhvillimit ekonomik të vendit tonë në muajin maj paraqitet 2.8 për qind më i ulët se ai i muajit janar të po këtij viti. Ekspertët e Bankës kanë publikuar dje analizat dhe parashikimet e tyre për vendet e Evropës Lindore e Ballkanit, midis të cilave marrin në analizë edhe ekonominë shqiptare. Ndërkohë që në muajin janar 2009 vlerësimi i ritmit të rritjes ishte 4 për qind, aktualisht ai është 1.2 për qind. BERZH-i përgënjeshtron zyrtarët e lartë të qeverisë shqiptare, të cilët kanë pohuar vazhdimisht se ritmi i rritjes vjetore të ekonomisë sonë gjatë vitit 2008 ka qenë më i larti në Ballkanin Perëndimor. Sipas tabelës, del se Rumania ka pasur nivelin më të lartë, me 7.1 për qind rritje të PBB-së, pasuar nga Mali i Zi, me 7 për qind. Shqipëria vjen e treta në listën me shtatë shtete, me 6.9 për qind. Ky nivel, sipas BERZH-it, nuk është kurrsesi dyshifror, sikurse u përpoq ta propagandojë kryeministri Berisha, ndonëse është mjaft i kënaqshëm. Por gjatë vitit në vazhdim, sipas këtij institucioni financiar, rritja e ekonomisë së vendit nuk do t'i kalojë 1.2 për qindët, madje ky do të jetë rezultati i vetëm pozitiv në të gjithë rajonin. Kjo shifër është më e lartë se parashikimi që ofron FMN-ja, prej më pak se 0.4 për qind. Edhe për vitin 2010, rritja do të jetë më e vogël se 2 për qind, konkretisht 1.8 për qind, ndërkohë që gjashtë vendet e tjera do të kenë rezultate edhe më të ulëta. Ndërkohë, parashikimi për rezultatet e tremujorit të katërt 2009, krahasuar me rezultatet e të njëjtës periudhë të një viti më parë, është negativ: -0.3 për qind.

9 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›