E Diel, 1 Nëntor 2026

INSTAT: “Çmimet e artikujve të konsumit janë ulur gjatë muajit prill”



Indeksi i çmimeve të konsumit në muajin prill të 2009 arriti në 103,9 për qind kundrejt muajit dhjetor të vitit 2007 (Dhjetor 07=100), duke shënuar një ulje prej 0,1 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm. Sipas INSTAT-it, ndryshimi vjetor në muajin prill është 1,9 për qind, ndërsa një vit më parë ky ndryshim ishte 4,4 për qind. Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi një ulje prej 0,2 për qind, me një ndikim prej – 0.1 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi ulja më e madhe prej 3,0 për qind vërehet në nëngrupin “Zarzavate përfshirë patatet”, ku veçohet ulja e çmimit të trangujve me 35,2 për qind, patëllxhaneve me 16,3 për qind, qepëve të njoma me 7,3 për qind, specave me 2,7 për qind, preshit me 2,6 për qind etj. Sipas INSTAT-it, indeksi në nëngrupin ”Fruta” shënoi një rritje prej 4,5 për qind. Gjatë muajit prill çmimet janë ulur edhe në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve, ku veçohen uljet në nëngrupet “Bukë e drithëra” 1,3 për qind, “Peshk” 0,3 për qind, “Sheqer dhe reçelna” 0,3 për qind, “Vajra dhe yndyrna” 0,8 për qind etj. Ndërkohë, indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë” shënoi një ulje prej 0,1 për qind, brenda të cilit çmimet e veshjeve u ulën me 0,2 për qind dhe çmimet e këpucëve u rritën me 0,1 për qind, ndërsa indeksi i grupit ”Transport” shënoi një rritje prej 0,5 për qind. Gjatë muajit prill çmimi i naftës shënoi një rritje prej 3,0 për qind dhe çmimi i benzinës 1,7 për qind. Indeksi i grupit “Shëndeti” shënoi një ulje prej 0,3 për qind, ku veçohet ulja e çmimeve të medikamenteve me 0,4 për qind. Ndryshimet në grupet e tjera variojnë nga - 0,1 për qind në + 0,2 për qind.

Ministria e Bujqësisë, 63 për qind e ushqimeve u ulën në prill

Drejtoria e Statistikës në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, njoftoi dje se në muajin prill 2009, çmimet e shitjes me pakicë të artikujve ushqimorë janë ulur në rreth 63 për qind të ushqimeve që konsumohen në vend, kundrejt muajit Mars. Sipas informacionit nga kjo drejtori, çmimet e drithërave rezultojnë me ulje, nga të cilat çmimi i grurit dhe misrit në masën 1 për qind. Ndërkohë, gjatë këtij muaji, një pjesë e konsiderueshme e produkteve bujqësore, shënuan ulje të çmimeve deri në 8 për qind, nga vërshimi në tregje i prodhimeve të stinës. Produktet blegtorale përgjithësisht u karakterizuan me ndryshime të çmimeve. Kështu, çmimi i qumështit të lopës paraqitet me ulje të vogla 0,2 për qind, qumështi i deles 7 për qind, çmimi i djathit të bardhë u ul 0,4 për qind dhe djathi kaçkavall 1 për qind. Për mishin rezulton me ulje çmimi i mishit të lopës e deles me 1 për qind, mishi i viçit dhe i pulës 2 për qind, dhe mishi i derrit 4 për qind.

9 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›