E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i kredive bankare: “Shtohet portofoli i të këqijave dhe të humburave”



Ervin KOÇI

Portofoli i kredive me probleme në bankat e nivelit të dytë rezulton të jetë rritur ndjeshëm në 3-mujorin e parë të vitit 2009. Sipas një raporti ende të papublikuar nga institucionet bankare, portofoli total i kredive që kanë probleme është rritur ndjeshëm duke shkuar në rreth 200 milionë euro. Me gjithë një pjesë e bankave në Shqipëri regjistruan një 3-mujor shumë të keq gjatë periudhës tetor-dhjetor 2008, duke shënuar rritje të shpejtë të kredive të këqija, ato janë rritur më tej gjatë muajve të parë të vitit 2009. Këto pasoja janë shoqëruar me një fenomen negativ të rënies së depozitave dhe ulje të fitimeve, bëhet e ditur nga të dhënat financiare të dorëzuara në autoritetin mbikëqyrës. Bankat e vogla e mbyllën vitin me humbje, pasojë kjo e drejtpërdrejtë e kredive të këqija. Por bankat e mëdha, realizuan fitime edhe më të majme sesa në vitin 2007, gjë që e bën sistemin bankar shqiptar më fitimprurësin në rajon, pavarësisht pasojave negative të krizës financiare botërore.

Kreditë e këqija

Sipas të dhënave zyrtare, në total kreditë e këqija në bankat private janë rritur me 7.0 për qind deri tani. Sipas të dhënave të BSH-së, “totali i kredive të këqija u rrit me 42 milionë euro gjatë dhjetorit 2008, ndërsa totali i kredive të këqija arriti në atë kohë në 196 milionë euro, ose 6.6 për qind të portofolit”. Rritja e shpejtë e kredive të këqija gjatë muajit të fundit të vitit që lamë pas, pasqyroi edhe vështirësitë ekonomike të Shqipërisë. Gjithnjë e më shumë shqiptarë (përgjithësisht biznese), nuk janë më në gjendje të paguajnë këstin mujor të kredisë, ndërsa bankat e kanë të vështirë të rikuperojnë humbjet përmes ekzekutimit të kolateralit, për shkak se gjithnjë e më pak shqiptarë janë në gjendje të blejnë prona të paluajtshme sot. Ndonëse me ritëm më të ngadaltë, depozitat në sistemin bankar vijuan të ulen në dhjetor. Që nga shtatori, 312 milionë euro depozita janë tërhequr nga bankat. “Përsa i takon rezultatit financiar të sektorit bankar, ai pritet të jetë më i dobët gjatë këtij viti, si rezultat i rënies së të ardhurave nga interesat, si dhe rritjes së fondeve rezervë për kredinë me probleme”, - theksohet në raportin më të fundit të BSH-së. Por rritja portofolit të kredive të këqija nuk përbën problem për bankat tona. Ekspertët shpjegojnë se gjatë vitit 2008 sistemi bankar ka dalë me fitim duke mbuluar edhe sasinë që nuk është kthyer.

Fitimet

Pavarësisht se bankat e vogla rezultuan me aktivitet me humbje, sistemi bankar realizoi 115 milionë dollarë fitime neto gjatë vitit të kaluar, ndihmuar nga rritja nga të ardhurat nga shërbimet, si dhe nga ulja e tatim-fitimit. Bankat e mëdha, patën rritje të fitimeve dhe mbyllën një vit tjetër të suksesshëm. Normat e tyre të fitimit mbi kapitalin e investuar, variuan nga 26 deri në 55 për qind. Sistemi bankar shqiptar menaxhoi afërsisht 6.7 miliardë euro, ku përfshihen edhe 5.6 miliardë euro depozita të qytetarëve dhe kompanive. Totali i kredive gjatë këtyre kohëve ishte 3.14 miliardë euro. Sot 717 mijë shqiptarë kanë një kartë debiti dhe 18 mijë kanë një kartë krediti. Në Shqipëri ka 571 makina të tërheqjes automatike të parave, ATM dhe 2600 terminale të pagesës me kartë në pikat e shitjes.

9 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›