E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kredia Durrës-Kukës, maxhoranca e voton e vetme në Komisionin e Ekonomisë



Kredia më e fundit për rrugën super të kushtueshme Durrës-Kukës ka sjellë sërish debatet dje në komisionin parlamentar të Ekonomisë. Brenda një ore, komisioni miratoi vetëm me votat e maxhorancës marrjen e një borxhi prej 370 milion eurosh. Pjesë e këtij borxhi është edhe kredia 250 milion euro, që ministria e Financave mori për investime. Opozita braktisi komisionin me argumentin se janë shkelur procedurat e kuvendit dhe qeveria po rëndon konsumatorët vetëm me interesat e kredisë që duhet të paguajë. Anëtari socialist i këtij komisioni, Erjon Brace, u shpreh se me borxhin e ri po shkelet rregullorja për kredinë e kësaj rruge. “Me borxhin prej gjysmë miliardë dollarësh tejkalohet borxhi në tërësi për vitin 2009”,- tha Brace duke shprehur kundërshtimin e opozitës për këtë projekt. “Si është formuluar në afat ky borxh? Vlefta e borxhit i korrespondon 410 milionëve dollarë, me shumë se 60% e limitit e lejuar për borxhin. Dhe borxhi për këtë vit tejkalohet vetëm për një vepër publike”,- tha Brace. Por pretendimi i socialistëve u kundërshtua nga anëtarët demokratë në këtë komision. Pas kundërshtisë së kolegëve demokratë, anëtarët e së majtës në Komisionin e Ekonomisë, braktisën mbledhjen. Drejtori i borxhit, në Ministrinë e Financave, Xhentil Demiraj, u shpreh se: “Është arritur të sigurohet që në muajin maj të disbursohet një shumë prej 95 milion euro, ndërsa në muajin qershor 155 milion euro të tjera, pjesë kjo e kredisë tregtare”. Sipas tij borxhi është marrë për të mbuluar nevojat e buxhetit me investime kapitale. Nga ana tjetër kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, e cilësoi të nevojshme marrjen e huas, për të mbajtur në ritëm rritjen e ekonomisë në këtë kohë krize. Në total komisioni miratoi 6 marrëveshje huaje, të cilat kanë në thelb kredi që përfshijnë investimet publike, ndërtimin e rrugëve dytësore rurale si dhe garancinë që Banka Botërore dha për privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Marrëveshjet e huamarrjes do të miratohen këtë të hënë në seancën e fundit të parlamentit.

9 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›