E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e 18-të e grevës. Rama: Berisha mban peng Shqipërinë Bosch:Zgjidhje pa humbur kohë

TIRANE- Greva e urisë në pritje të një zgjidhjeje për transparencën e zgjedhjeve hyn sot në ditën e 19-të. Gjendja e grevistëve, të vendosur në bulevard, para godinës së kryeministrisë vazhdon të rëndohet më tej ndërsa ende nuk është arritur zgjidhja ngërcit politik. 60 grevistë shtrohen në spital mes tyre deputetet socialiste Olta Xhacka e Shega. Grupi Parlamentar: Greva e protestat nuk ndalen. Cdo ditë opozita do të protestoje ne bulevard. Presidenti Topi: Janë të gjitha instrumentat ligjore për të zgjidhur situatën.

ORA 20:45- BOSCH: RIPëRSëRIS, ZGJIDHNI KRIZëN
Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosch nëpërmjet një deklarate për mediat pozicionohet qartë në lidhje me krizën politike, duke i ripërsëritur të dyja palëve të gjejnë zgjidhe, duke i dhënë fund ngërcit politik. “Kam vërejtur numrin e madh të komenteve publike të bëra pas përgjigjes që i dhashë medias, të premten e kaluar, në lidhje me situatën politike aktuale. Theksoj edhe njëherë se, pas nëntë muajsh të gjatë, klasa politike shqiptare duhet të gjejë pa humbur më kohë një zgjidhje për të cilën bien dakord të dyja palët” , deklaron Bosch.

Sipas kreut të OSBE zgjidhja që duhet të arrinë sa më parë të dyja palët politike të jetë në përputhje me transparencën dhe kuadrin ligjor. “çdo zgjidhje e tillë duhet të jetë në përputhje me parimin e transparencës dhe me kornizën ligjore shqiptare”,citohet në deklaratën e Bosch.

ORA 20:10- LE GREVEN NE DITEN E 18-TE SHEGA LIGORI
Mbrëmjen e sotme rreth orës 20:10 ka lënë grevën e urisë deputetja e Partisë Socialiste Shega Ligori. Gjëndja shëndetësore e deputetes Ligori është rënduar së tepërmi në ditën e 18-të të grevës së urisë, gjë që ka detyruar mjekët ta transportojnë atë menjëherë drejt spitalit infektiv në QSUT.

Me largimin e saj, numri i grevistëve që kanë dalë nga greva shkon në 60 persona. Paraditen e sotme një tjetër deputete e PS, Olta Xhacka ka lënë grevën pas rëndimit të gjendjes së saj shëndetësore.

ORA: 19:50- KREU I LZHK TAKON GREVISTëT Në SHENJë SOLIDARITETI
Kreu i LZHK-së Dashamir Shehu ka takuar sot grevistët e urisë në shenjë solidariteti. Në ditën e 18-të të grevës së opozitës, Shehu ka shprehur solidaritetin e tij dhe si qytetar, pasi sic theksoi dhe vetë ai, kjo kauzë është e të gjithë shqiptarëve. Kreu i LZHK-së në një prononcim për mediat u shpreh optimist për një zgjidhje që sipas tij duhet të dominohet nga një zgjidhje politike meqë gjithcka qëndron mbi ekuilibra politik. Shehu tha se kjo grevë tregon se shqiptarët nuk e kanë humbur sensin e lirisë.

ORA: 19:41- RAMA: FRIKA E BERISHëS MBAN PENG SHQIPëRINë
Gjatë fjalimit të tij në protestën e pasdites, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama theksoi vendosmërinë e opozitës për të mos e ndalur aksionin politik në kërkim të transparencës së plotë të zgjedhjeve të kaluara.
Ndërsa nënvizoi se beteja e nisur nuk është një luftë për pushtet, por një përpjekje e qytetarëve për të kërkuar të drejtat e tyre, Rama tha se pushteti mban të mbyllura kutitë nga frika e përballjes me të vërtetën që ato përmbajnë.

“Pushteti nuk i hap kutitë sepse nuk përballet dot me të vërtetën. E kanë marrë vesh të gjithë shqiptarët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë se votat janë vjedhur, se e drejta e shqiptarëve për të zgjedhur lirisht është shkelur. Berisha nuk ka kurajo të përballet dhe për këtë arsye i mohon popullit të vet të drejtën të shikojë se cfarë ka në ato kuti dhe për këtë arsye e mban Shqipërinë peng në një krizë që thellohet dita ditës. Kjo betejë e jona nuk është beteja e një partie kundër një partie tejër por është beteja e qytetarëve që kërkojnë lirtë dhe të drejtat, pa të cilat ne nuk jemi të barabartë në atdheun tonë .” u shpreh kryesocialisti.

Lideri i opozitës i ka quajtur të pavërteta të neveritshme deklaratat e mazhorancës kundër grevës së opozitës.
“Këto ditë shfaqen njerëz që për të mbrojtur oborrin e pushtetit thonë të pavërteta të neveritshme për ata që në këtë grevë urie nuk kanë hyrë për veten e tyre por për mënyrën se si ata dhe të gjithë ne duam ta jetojmë jetën tonë në këtë vend që është vendi ynë i përbashkët” tha Rama.

Duke nënvizuar vetëdijen e opozitës për vështirësitë e rrugës së zgjedhur, Rama tha se greva e urisë ishte e vetmja mënyrë e mbetur në luftën për të mbyllur epokën e vjedhjes së votave në vend.
“Hapi që ne do bëjmë është një hap i madh e kurajoz për të ndryshuar epokë, per të kaluar në një kohë kur zgjedhjet i vendos fuqia vendimarrëse e qytetarit , ky kapërcim do të thotë futja e vendit tonë në rrugën e mirëqeverisjes. Hapja e kutive është hapja e rrugës së të ardhmes, është clirimi i pasionit politik të një populli që nuk mund të kycet brenda” vazhdoi më tej kryesocialisti.

ORA: 18:40- OPOZITA NIS PROTESTëN PëRPARA KRYEMINISTRISë
Nis protesta e radhës e opozitës, sikurse cdo ditë tjetër, përpara selisë së kryeministrisë në mbështetje të grevistëve që janë duke përmbyllur ditën e 18-të të grevës së urisë.
Gjatë fjalimit të tij, kryetari i PBDNJ-së Vangjel Dule u bëri thirrje qytetarëve të kenë besim deri në fund në kauzën e opozitës.
“Kini besim, kutitë do të hapen, transparenca do të bëhet dhe fajtorët do të ndëshkohen” tha Dule ndërsa përmendi kërkesën e Komisionit Europian për 700 pyetje e sqarime të reja të lidhura me pyetësorin e dorëzuar pak kohë më parë nga qeveria, duke akuzuar drejpërdrejt mazhorancën dhe kryetarin e saj.

Kreu i PLD-së Spartak Ngjela edhe gjatë protestës së sotme e vuri theksin tek kriza politike dhe ekonomike ku është zhytur vendit.
“Në këto momente jemi duke u përballur me një qeveri që pasi vodhi zgjedhjet e ka zhytur vendin në një krizë të thellë ekonomike, të cilën e ka krijuar vetë nga babëzia për pushtet”, u shpreh Ngjela. Sipas tij, kërkesat e opozitës për hapjen e kutive nuk do të tërhiqen mbrapsht.
“Kurrë nuk do heqim dorë nga kërkesa për hapjen e kutive. Vetëm një njeri i papërgjegjshëm mundet ti rezistojë. I ka manipuluar kutitë që nuk i hap, e dinë të gjithë që ky njeri është i paligjshëm”, u shpreh Ngjela.

Protesta ka vijuar më tej me fjalime të shkurtra të grevistëve të cilët shprehen të vendosur të rezistojnë deri në fund. “Nuk heqim dorë nga transparenca, do qëndrojmë deri në fund” shprehen mbështetësit e PS të cilët i janë bashkuar grevës së urisë që prej mbrëmjes së 30 Prillit.

Ora: 17:12- PD: GREVA E OPOZITëS, KAMPING Në BULEVARD
Deputetja e Partisë Demokratike, Adriana Gjonaj e cilësoi sot grevën e urisë së opozitës "një kamping në bulevard".
"Një kamping në bulevard është padyshim një performancë e re. Por për të populluar çadrat duheshin edhe para dhe me para në dorë protestuesit do të ishin më të angazhuar", tha deputetja Gjonaj në një deklaratë për mediat.

Sipas saj, "me studimet e fundit, Edi Rama zbuloi se njeriu nuk ka nevojë as të ushqehet. Siç po e dëshmojnë tek çadrat edhe pas 18-ditëve ata që ushqehen me frymën dhe erën e luleve të Edvinit dhe janë “më të fortë se kurrë.”
"Tani që u zbulua se jetohet me frymë dhe paguhet në dorë, Rama thotë se ka kërkesa të shumta për kamping. Aty mund të hysh, mund të dalësh, mund të kthehesh, mund të ikësh prapë", tha Gjonaj në deklaratën e saj.

ORA 14. 30 -DEPUTETJA OLTA XHACKA LE GREVEN, I RENDOHET SHENDETI
Olta Xhacka është detyruar të ndërpresë sot grevën e urisë të cilën e nisi bashkë me 22 deputetë PS dhe 180 mbështetës të opozitës në mbështetje të kauzës për transparencën e zgjedhjeve më 30 prill. Xhacka ka lënë cadrat e vendosura në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” rreth oërs 14.00 për shkak të gjendjes shëndetësore të rënduar. Kjo është grevistja e tretë e cila detyrohet të ndërpresë grevën gjatë ditës së sotme për shkak të gjendjes shëndetësore të përkeqësuar

ORA 14: 20 -TOPI:KLASA POLITIKE T’I JAPë FUND KëSAJ SITUATE
Presidenti Topi i kërkon klasës politike ti japë fund kësaj situate nëpërmjet dialogut. “Janë të gjitha instrumentat ligjorë për zgjidhjen e situatës. Celësi i suksesit është dialogu politik”- nënvizoi kreu i shtetit në një prononcim për gazetarët pas koncertit festiv në Teatrin e Operas dhe Baletit organizuar në ditën e Jetimëve.
I pyetur për Gjykatën Kushtetuese dhe Komisionin e Venecias, Topi u përgjigj: Kushtetua përcakto mekanizmat, dhe sqaroi “nuk ka negociata në tryezën time”

ORA 13:10- I RIU NGA TIRANA LE GREVEN DERGOHET NE SPITAL
Në ditën e 18-të të grevës së urisë, një tjetër grevistë shoqërohet për në spital. I riu nga Tirana, Oltian Ruçi, la grevën pas gjëndjes së përkeqësuar të shëndetit rreth orës 13.00. Shkon në 56 numri i të larguarve nga greva e urisë.

ORA 13:00- MBLIDHET GRUPI PS: GREVA E PROTESTAT NUK NDALEN
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka marrë vendim që greva e urisë si dhe e protestave në rrethe do të vazhdojnë. Të mbledhur sot në mesditë deputetët e PS-së kanë vendosur gjithashtu se nuk do të ndërpriten as protestat e përdishme në Tiranë e cila zhvillohet cdo pasdite në orën 18.00

ORA 09:40- GREVISTI I 55 Lë GREVëN E URISë, DëRGOHET Në SPITAL
Një tjetër grevist ka lënë cadrat e vendosura në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para godinës së kryeministrisë dhe është dërguar në spital. Preng Tuci, 56 vjec është dërguar me ambulancë pranë QSUT rreth orës 09.30 minuta të paradites së sotme.

ORA 07: 10- DEPUTETI GJIKNURI: PROTESTA DO TE VAZHDOJE
Deputeti Damian Gjiknuri thotë se proteta do të vazhdojë. Në një prononcim për NEWS24 rreth orës 06.30 minuta Gjiknuri thotë se PS është e gatshme për kompromis por “është Berisha i cili nuk do” .

17 MAJ- ORA 21:30- NE SPITAL NJE TJETER GREVIST
Rreth orës 21:30 të mbrëmjes së sotme ka lënë grevën e urisë një tjetër person, duke e cuar numrin e atyre që kanë dalë nga greva në 54 vetë.
Bëhet fjalë për grevistin Alban Canin, 37-vjec nga qyteti i Tiranës. Gjëndja e tij është rënduar sot në ditën e 17-të të grevës së urisë, duke detyruar stafin mjekësor ta nisë me urgjencë drejt spitalit infektiv në QSUT.

ORA: 20:13- DëRGOHET Në SPITAL GREVISTI I 53-Të
Në ditën e 17-të të grevës së urisë ,gjendja shëndetësore e grevistëve vazhdon të rëndohet nga momenti në moment. Armando Uruci nga Tirana është detyruar të ndërpresë grevën për shkak komplikacioneve të ardhura si rezultat i mungesës së ushqimit për një kohë të gjatë. Uruci u dërgua në QSUT rreth orës 20:00 të mbrëmjes së të hënës duke cuar në 53 numrin e grevistëve të larguar nga cadra që prej 30 prillit.

ORA: 19:29- NUK NDALEMI, MBI 2 MIJë QYTETARë GATI PëR Në GREVë
Gjatë fjalimit të tij në protestën e pasdites, kreu socialist Edi Rama u shpreh edhe njëherë i vendosur për vazhdimin e grevës së urisë duke theksuar se mbi 2 mijë qytetarë janë gati ti bashkohen kauzës së opozitës për transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit.

“Jane mbi 2173 qytetarë e qytetarë të regjistruar për të hyrë në grevë e për të mos e ndalur këtë grevë, deri sa dora që mban peng demokracinë, shtetit të së drejtës, duke mbajtur peng burimin nga rrjedh procesi demokratik. Nuk ka shans që greva të përfundojë e vendi të mbetet peng i qeverisë që nuk buron nga votat e popullit por nga një gënjeshtër e madhe ” u shpreh kryesocialisti.

Lideri i opozitës akuzoi kryeministrin Berisha për mbylljen e rrugës së zgjidhjes ndërsa tha se kutitë mbahen të mbyllura për shkak të frikës nga e vërteta e votave të hedhura në to.
“Zgjatja e kësaj greve është provë e qartë e dritëshkurtisë së këtij pushteti i cili duke i mbyllur rrugën zgjidhjes i mbyll rrugën Shqipërisë. E vërteta e kësaj greve është e thjeshtë, shqiptarët e kanë kuptuar këtë të drejtë. Votat janë vjedhur dhe mbahen mbyllur vetëm me një qëllim, që të vidhen përsëri” tha Rama ndërsa siguroi se aksioni i opozitës nuk do të degjenerojë kurrë në dhunë.

Rama ritheksoi se kërkesat për transparencë nuk kanë synim marrjen e pushtetit në tavolinë por, sic tha ai, është një betejë për ti hapur rrugë përparimit të vendit.
“Kjo nuk është një betejë për të përmbysur pushtetin por për ti hapur rrugë përparimit të një vendi që ka rënë përmbys. Ne nuk jemi këtu për pushtetin, por për vendin ku jetojmë. Që jeta të bëhet më e mirë duhet që politika të bëhet më e mirë dhe që politika të bëhet me e mirë njerëzit duhet të clirohen nga frika dhe varfëria” vazhdoi më tej kryesocialisti.

ORA 18:30- NIS PROTESTA E OPOZITëS, LESKAJ: NUK LODHEMI
Në ditën e 17-të të grevës së urisë, Partia Socialiste vazhdon protestat në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në mbështetje të deputetëve grevistë dhe në pritje të zgjidhjes së kauzës së tyre për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Deputetja Valentina Leskaj i ka bërë thirrje të gjithë intelektualëve që firmosin peticione kundër grevës së urisë të hapin sytë. Leskaj thotë “Po nuk luftuam ne sot nesër është radha e tyre, sepse ky pushtet nuk të fal për interesat e tij”.

Në fjalën e saj Leskaj bëri të qartë se nuk ka kthim mbrapa për socialistët nëse nuk bëhet transparenca e plotë e zgjedhjeve. “Ne po i japim një cilësi të re demokracisë në këtë vend, forca jonë qëndron tek e drejta, qëndron tek rezistenca. Harroje Sali Berisha se ne mund të lodhemi, se mund të tërhiqemi. Ne nuk jemi këtu për pushtet, jemi këtu që vjedhja e votës të mos shërbejë si mburojë për pushtetin”, - theksoi Leskaj.

Gjatë fjalimit të tij deputeti Damian Gjiknuri hodhi poshtë pretendimet e qeverisë se kërkesat e opozitës bien ndesh me Kushtetutën duke theksuar se nuk ka asgjë më themelore për një popull se e drejta për transparencën e votës.
“Kjo kauzë ka mbledhur kaq shumë njerëz dhe do të vazhdojë të mbledhë sepse ka në themel një të drejtë themelore, të drejtën e qytetarëve për votën.
Kërkesa jonë është në përputhje të plotë me Kushtetutën. Nuk ka gjë më themelore për një popull se sa të kërkojë transparencën për votën e tij” u shpreh Gjiknuri.

Deputeti Prec Zogaj theksoi gjatë protestës së sotme se sotme se kryeministrit Berisha i është ofruar zgjidhja e tretë e krizës dhe kjo nga ndërkombëtarët. Sipas Zogaj për Berishën mund të jetë edhe shansi i fundit.
“Mund të na e kishte kursyer Sali Berisha këtë ngjarje të pazgjidhshme që po ndodh në Shqipëri. Berisha po humb për herë të tretë shansin e zgjidhjes, dhe ky është shansi që po i jep OSBE-ja. Kam frikë se është edhe shansi i fundit për ti dhënë zgjidhje, nuk ka asnjë arsye pse të ndahemi për kutitë”, - deklaroi deputeti Zogaj.

“Po bëni veprën më të madhe që nga pavarësia e Shqipërisë”, kështu i është drejtuar kreu i PLD-së, Spartak Ngjela protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Sipas Ngjelës, intelektualët e vërtetë janë ata që dalin e protestojnë dhe jo ata që shkojnë në një linjë me Berishën. “Të tërë intelektualët që i dalin në mbrojtje Berishës janë njerëz të paaftë, të shteruar që jetojnë me vjedhje dhe mashtrime. Ju jeni elita e vërtetë, ju që jeni sot në shesh”, - theksoi Ngjela.

Protesta ka vijuar më tej, sikurse cdo ditë, me fjalime të grevistëve që janë duke përmbyllur ditën e 17-të në mungesë të ushqimit. Grevistët i bëjnë thirrje kreut të qeverisë tu sigurojë shqiptarëve lirinë përmes transparencës së votave të tyre.

Deputeti grevist Taulant Balla pasi falenderoi mbështetësit në protestë i bëri thirrje Berishës të refllektojë, pasi përndryshe ditët e tij janë të numëruara.
“Faleminderit që nuk na keni lënë vetëm këto ditë, kërkojme të na mbështesni për të cuar përpara kauzën tonë. I bëj thirrje Berishës, që ne e kemi treguar që nuk kemi frikë, frikacaku në këtë mes je ti. Ditët i ke të numëruara, hiq dorë nga hakërrimet se nuk ka më frikë njeri”, deklaroi Balla.
(s.g/e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›