E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sulmohet rezidenca e trupave të KFOR-it në veri

MITROVICE-Një qendër banimi e paqeruajtësve danezë në veri të Kosovë është sulmuar, dje në mbrëmje, kanë njoftuar burimet e NATO-s. Të njëjtat burime njoftojnë se nuk ka njoftime për të plagosur.

Majori Majkëll Koting, zëdhënës i KFOR-it, tha se një dritare është thyer dhe ka disa dëme të tjera materiale. Ai shtoi se sulmi “ishte drejtuar kundër shtëpisë që strehon ekipin mbikqyrës e ndërlidhës të trupave daneze”.

Ekipi patrullon në zonat në veri të Kosovës për të ruajtur kontaktet me pakicën serbe.

Policia e Kosovës ka pohuar për agjencinë e lajmeve AP se një letër kërcënuese, drejtuar trupave daneze të KFOR-it është gjetur në shtëpi. Kontigjenti danez akuzohej se “po mban anën e shqiptarëve”.

Danimarka është në mesin e 68 shteteve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

(d.b/Europaelire/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›