E Diel, 1 Nëntor 2026

Superliga, luhet epilogu i një sezoni të turpshëm

TIRANE-Pas ndeshjeve të sot me ndoshta askush nuk do të mbajë mend as skuadrën kampione. Në orën 18.30, pasi në të gjashtë fushat e Kategorisë Superiore arbitrat të kenë fishkëllyer fundin e takimeve, është e sigurt se të gjithë tifozët, futbollistët, trajnerët apo edhe drejtuesit e Federatës, do të kthehen në shtëpi më të çliruar. Sot luhet java e fundit e Superligës, një javë që në kushte normale do të bënte që të gjithë të zinin radhë për bileta në stadium, por interesi është në kufijtë e minimumit. Kjo, pasi sezoni 2009-2010 është pa më të voglin dyshim një nga më të turpshmit në historinë e futbollit shqiptar dhe jo vetëm. Asnjëherë më parë nuk ishin parë trukime të tilla në masë, asnjëherë më parë politika nuk kishte ndërhyrë kaq shumë në punët e brendshme të top-këmbës dhe asnjëherë më parë institucioni që rregullon lojën (FSHF), nuk kishte qenë kaq indiferent edhe kur shit-blerjet e ndeshjeve janë bërë ditën për diell. Java e 33-të është epilogu i një kampionati të tmerrshëm, me minimumin e tifozëve në stadiume si edhe me akuzat më të shumta që janë parë ndonjëherë. Por, çudia qëndron në faktin se deri më tani nuk është marrë asnjë masë ndaj klubeve që kanë hapur portën për të favorizuar "X" apo "Y" skuadër apo ndaj arbitrave që me vendimet e tyre kanë çuar deri në shpërthime popullore, si ajo e qytetit të Ersekës. Gjithsesi, ky "makth" do të marrë fund sot, me 6 ndeshjet e fundit të një sezoni që më shumë sesa për ngjarjet në fushë, do të mbahet mend për akuzat, për trukimet dhe për faktin se nuk është luajtur futboll i vërtetë.
Verdiktet e fundit
Superliga do të përcaktojë përfundimisht sot se cila do të jetë skuadra nënkampione e vendit, cilat do të bien nga kategoria dhe cilat do të shkojnë në plejaut. Besa, e cila përballet me Dinamon, duket shumë pranë sigurimit të vendit të dytë, duke parë edhe faktin se Tirana e Laçi luajnë në dy transferta delikate, në Korçë dhe Krujë. Ndërkohë, më e fortë duket lufta në zonën e rënies, megjithëse Apolonia ka shumë pak shanse për të siguruar një vend të paktën në zonën plejaut. Fierakët luajnë në Ersekë përballë Gramozit të rënë, por varen shumë nga rezultati i Kastriotit me Laçin dhe ai i Skënderbeut me Tiranën. Në rast se krutanët fitojnë, atëherë çdo gjë merr fund për Apoloninë. Në fakt, duket e vështirë që Kastrioti të mos mundë Laçin, një ekip që tashmë e ka siguruar kualifikimin për në Kupat e Evropës. Ndërkohë, në të njëjtat pozita ndodhet edhe Skënderbeu. Korçarët mund ta sigurojnë qëndrimin direkt në rast se mundin Tiranën dhe Teuta nuk fiton në Shkodër. Por, veç kësaj, Kastrioti, Skënderbeu e Teuta do të jenë gjithë sy e veshë se çfarë ndodh në fushat rivale. Kjo, pasi të treja këto ekipe synojnë që të shmangin vendin e 9-të në klasifikim, që do të thotë përballje me Lushnjën. Në rast plejauti, lushnjarët janë një ekip më i vështirë për t'u mundur sesa Kamza, kështu që të gjithë duan ta evitojnë një përplasje me ta.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›