Faturat elektrike, nga prilli, rimbursimi për shkeljet
TIRANE- Enti Rregullator i Energjisë (ERE) njoftoi dje se, në zbatim të detyrave të vendosura nga ana e ERE-s, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, duke filluar nga fatura e energjisë elektrike e muajit prill 2010, ka nisur të kryejë rimbursimin e të gjithë konsumatorëve, ndaj të cilëve në faturën e energjisë elektrike janë regjistruar mbifaturime të konsumit të energjisë elektrike, të pabazuara në ligj. Kompensimi, për transparencë ndaj konsumatorëve, paraqitet në faturën mujore të energjisë elektrike me një zë të veçantë, me emërtimin "rimbursimi". Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, tashmë i privatizuar, ka deklaruar se do të kompensojë të gjitha rastet e faturimit të energjisë elektrike, për të cilët vërtetohet se ka pasur abuzim. "Kemi filluar kontrollet për të zbuluar rastet e abuzimit gjatë faturimit. Nga kontrollet e deritanishme, që kemi bërë për vitin 2009, kemi zbuluar disa raste shkeljesh, që arrijnë në vlerën 105 milionë leke. Rastet do të verifikohen një për një dhe shuma e mbifaturuar do t'u zbritet konsumatorëve në faturat e muajit mars ose prill. Ashtu siç është deklaruar edhe më parë, kompania ka larguar nga detyra tashmë drejtorin e shitjeve të OSSH-së dhe më shumë se 100 faturistë. Ditët e muajit dhjetor do të rillogariten me çmimet e mëparshme e jo me tarifat e rritura. Edhe këto para do t'u kompensohen konsumatorëve në mars ose prill", u shpreh, në një konferencë për shtyp drejtori i përgjithshëm i OSSH-së, Jozef Hejsek. "Në lidhje me faturat e janarit, çdo klient gëzon të drejtën të vërtetojë saktësinë e faturës", - tha ai.
(s.g/GSH/balkanWeb)
(s.g/GSH/balkanWeb)