Korçë, dyshime skandali me farat e patateve
Të paktën 100 hektarë të mbjellë me patate kanë dështuar në prodhim sepse kokrra është shumë e vogël
KORÇË- Skandali i fryteve pa kokrra është zhvendosur në juglindje të vendit ku këtë herë problematik nuk është misri por patatja. Të paktën 100 hektarë të mbjella me patate kanë dështuar në prodhimin e tyre. Fermerët e dy komunave Pirg dhe Vreshtas kërkojnë ndërhyrjen e shtetit dhe në mënyrë të veçantë të ministrisë për këtë skandal që ka përfshirë ata dhe ekonominë e tyre. Në fshatin Zvirinë të rrethit të Korçës janë më shumë se 50 fermerë, të cilëve prodhimi që prisnin nuk iu ka rezultuar i suksesshëm, madje prodhimi i patates është me kokrra mjaft të vogla gati jashtë standardit. Fermerët shprehen të shqetësuar për këtë skandal që ndikon mbi ekonominë e tyre. Madje kanë nisur dhe sorollatjet në Drejtorinë e Bujqësisë dhe të Ushqimit në Korçë, por dhe në gjykatë për farën e manipuluar dhe shterpë. Sipas rrëfimit të vetë fermerëve, ata e kanë blerë atë nga dy sipërmarrësit që duket se janë dhe të vetmit që importojnë nga jashtë farën e patates. Fara e patates varionnga 126 lekë për kilogram për pataten me farë të madhe, kurse për atë me farë të vogël, kushtonte 220 lek kilogrami. Shumat e shpenzuara nga fermerët janë të konsiderueshme, ndërsa ata nuk kanë marrë fare prodhimin ashtu si e kanë pritur duke investuar për të, ndërsa ndihen të mashtruar nga shteti që lejon të shiten në treg pa u kontrolluar fara të tilla. Patatja ka dalë me kokërr të vogël që nuk shërben për tu shitur në treg. Fara, sipas tyre, është deklaruar fillimisht se ka ardhur nga Holanda, ndonëse nuk dihet as vendi i saj real i origjinës, teksa nga ana tjetër ajo dyshohet të jetë manipuluar në Shqipëri. Ethem Hoxhallari, një nga fermerët e goditur nga ky skandal, ka rrëfyer për gazetën se fara fillestare i ka kushtuar më shumë se tre milionë lekë, ndërsa shpenzimet janë shtuar gjatë kujdesit dhe punës që ika bërë sipërfaqes së mbjellë që tashmë i ka dështuar. Drejtoria e Bujqësisë
Nis verifikimi i farave të patateve
KORÇË- Por Drejtoria e Bujqësisë në Korçë ka bërëtë ditur përmes kreut të saj Adrian Maho se do të jetë palë mes fermerëve dhe subjekteve që iu kanë shitur farë të falsifikuar këtyre të fundit në procesin gjyqësor. Fermerët kanë bërë padi në gjykatë për të fituar të drejtën e dëmshpërblimit ndaj biznesmenëve tonë. Maho ka treguar se shqetësimi i fermerëve tëfshatit Zvirinë është i drejtë, teksa konfirmon gjithashtu faktin se ata janë mashtruar gjatë blerjes së farës së patates, teksa e kanë denoncuar mashtrimin prej disa kohësh dhe pranë Drejtorisë së Bujqësisë në Korçë. Sipas tij, pas shqetësimit të mbërritur në këtë institucion, është ngritur me urgjencë edhe një grup i posaçëm pune me specialistë për sondazhe në arat e mbjella. Maho thekson se fermerëve nga fshati Zvirinë, iu është marrë dhe një proces-verbal për sasinë e farës së blerë si dhe sipërfaqen e tokës të mbjellë.