E Diel, 1 Nëntor 2026

Dyrmo: Shpërthimi, menduam se do të vdisnim

Përcillet në banesën e fundit vajza 9- vjeçare që humbi jetën nga shpërthimi i gazit. Rrëfimi i dëshmitares

BERAT- Mesditën e djeshme, thuajse i gjithë fshati Lapardha i dha lamtumirën e fundit 9-vjeçares Artenisa Cani, e cila gjeti vdekjen 48 orë më parë nga flakët e shpërthimit të tubacionit të gazit, në një pikë shitjeje gazi me pakicë. Ndërkohë, nga spitali i Tiranës nisen për një nga spitalet e Italisë për kurim më të specializuar dy të djegurit rëndë: pronari i impiantit të gazit Beqar Cani dhe drejtuesi i mjetit autobot Pashanjor Aga. Nëna e 9-vjeçares Suzana Cani ishte e vetmja që u dëmtua më lehtë në tragjedinë që pushtoi familjen. Valbona Dyrmo, fqinje e familjes së prekur nga tragjedia, rrëfen çastet në të cilat ndodhi shpërthimi.

Ku ishit kur ndodhi shpërthimi?

Unë po ushqeja fëmijët në verandën e shtëpisë, që e kam ngjitur me pikën e shitjes së gazit. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm, sa tronditi thuajse të gjithë zonën përreth. Ndjeva një valë të nxehti dhe në moment m’u duk sikur m’u mor fryma. U tmerrova kur pashë një burrë me një fëmijë të vogël, që e njoha. Ai iku me vrap me vajzën e vogël nga rruga duke thirrur për ndihmë. Vraponte dhe bërtiste që banorët të largoheshin. Nga kjo frikë mora fëmijët dhe dola nga ana e prapme e shtëpisë drejt lumit, ashtu e zbathur, duke vrapuar dëgjoja vetëm njerëz që ulërinin dhe bërtisnin fort: “Largohuni sa të mundni!”, thirrje që u pasuan nga ato të njerëzve të tjerë.

Ç’ndodhi më pas?

Kur dola te cepi i shtëpisë, pashë Beqarin, pronar i pikës së shitjes së gazit që doli nga porta duke ulëritur dhe thirrur për ndihmë, me flakë në rroba. U shtri në fillim në një kanal ngjitur me shtëpinë time ku dhe la këpucët, kapelen dhe trikon e djegur, por nuk pati ujë, ndaj u çua dhe hyri në shtëpinë time. Kishte djegur duart, këmbët e zbathura dhe kërcinjtë, gjë që më tmerroi, por ai doli për të kërkuar Artenisën, që ishte brenda. Megjithatë, sapo doli në rrugë, bëri disa hapa dhe ra përmbys thuajse i vdekur. Më pas qenë banorët që e çuan në spital. Ndoshta fati na ka shpëtuar edhe ne komshinjtë, pasi shkonim thuajse përditë dhe rrinim tek pika e gazit, meqë vajzat e Beqarit luanin me vajzat e mia të vogla.

Dini gjë për shkakun e zjarrit?

Ishim para një apo dy orësh aty dhe më duket se babai i Beqarit po ziente rakinë me bombol gazi. Por nuk e di nëse e kishte të ndezur apo jo furnelën.Dorina Jaho

RRËFIMI

Gjeli: Policia nuk po e gjente dot Artenisën

Kujtim Gjeli (një nga banorët që shoqëroi të lënduarit për në spital): Kur po nisesha për në spital dëgjova një grua që thoshte se në godinën ngjitur me cisternën e përfshirë në flakë ishte dhe Artenisa duke bërë detyrat. Kështu që sapo lashë në spital drejtuesin e mjetit të autobotit, u ktheva në vendin ku ra zjarri. Kur mbërrita, banorët po i tregonin policisë se në godinë ishte edhe Artenisa. Unë i fola shefit të krimeve, Përparim Dyrmo, dhe i tregova se vajza ishte në dhomën e mesit të banesës me tre dhoma që shërbenin në pikën e gazit si magazina për të mbajtur bombolat 10-litroshe. Së bashku me të dhe me disa policë, sapo u shuan flakët, mundëm të gjenin trupin e pajetë të vajzës 9-vjeçare. Nuk e dinim se impianti i gazit ishte kaq i rrezikshëm. Kur i thoshim Beqarit, ai na përgjigjej se aty punonte edhe vetë e i kishte marrë të gjitha masat mbrojtëse. Dhe vërtet pika e gazit kishte shumë vite aty dhe nuk kishte ndodhur ndonjë incident.

Maliqi: Pika e tregtimit të gazit, me leje

Kryetari i komunës Otllak, Lefter Maliqi, pohoi dje se biznesi i ngritur në qendër të fshatit Lapardha, mes shtëpive të banimit, është me leje. Por, vazhdoi ai, duke marrë shkas nga tragjedia e djeshme, KRT-ja e komunës do të mblidhet brenda 24 orëve për të ndryshuar vendqëndrimin e saj. Gjithashtu Maliqi pohoise komuna i ka paguar të gjitha shpenzimet e varrimit të 9-vjeçares, si dhe ka ngritur një grup pune për të vlerësuar dëmin e shkaktuar mesditën e dy ditëve më parë. Sipas tij, në të tilla raste fatkeqësish, komuna iu vjen në ndihmë familjeve fatkeqe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›