E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjeku i refuzon ndihmën, e godet me thikë

Kosta Koçi është goditur disa herë me thikë në qafë dhe shpatull. Mjekët nuk japin shumë garanci për jetën e tij

VLORË - Një tjetër goditje ndaj bluzave të bardha. Këtë radhë, një neurolog ka qenë viktimë e dhunës nga një person ende i paidentifikuar. Kosta Koçi, një nga mjekët më të njohur në qytetin e Vlorës është goditur me thikë shumë herë, ndërsa jeta e tij vazhdon të jetë në rrezik. Motivet që e çuan autorin të kryejë duket se kanë qenë banale për të justifikuar një mori goditjesh me thikë ndaj 64-vjeçarit, i cili më pas u dërgua me urgjencë në spital dhe ku iu nënshtrua një operacioni për pothuaj tri orë. Pas ndërhyrjes, kolegët e mjekut kanë dhënë një dritë shprese, duke pohuar vetëm se e ka kaluar fazën e parë të rrezikut për jetën.

Ngjarja

Sipas të dhënave të para, gjithçka ka ndodhur rreth orës 17:10, pranë ambulancës qendrore të qytetit, vend ku neurologu Koçi ka dhe klinikën private. Mësohet se ai ka dalë nga klinika, pasi është kërkuar nga një grua për të kryer një vizitë shtëpi. Pas bisedës me të, pranë mjekut është afruar edhe një burrë, që i ka kërkuar të njëjtën gjë. Biseda duket se ka rrjedhur se në shtëpinë e kujt duhet të shkonte mjeku e kë duhet të ndihmonte të parin, ndërsa asnjë prej personave që kishte nevojë s’ka dashur të tolerojë tjetrin. Ndërsa Koçi ka vendosur që të shkojë në banesën e gruas, e cila i kishte kërkuar ndihmë e para, burri ka nxjerrë thikën duke e goditur mjekun disa herë: në qafë, shpatull, në trup e në dorë. I mbuluar me gjak, 64-vjeçari është rrëzuar në tokë. Pas kësaj autori është larguar në brendësi të lagjes, nga pjesa e pasme e ambulancës.

Ndërhyrja e mjekëve

Me një taksi, e cila ka qenë e parkuar pranë vendngjarjes, mjeku është transportuar urgjent në spitalin rajonal. Ai është futur në sallën e operacionit, ku edhe i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. 64-vjeçari kishte humbur mjaft gjak, si rrjedhojë ai ka marrë edhe një sasi gjaku. Sipas mjekëve, Koçi ka pasur një goditje në pjesën e qafës, e cila fatmirësisht nuk i kishte prekur arteriet. Plaga më e thellë mësohet të ketë qenë ndërmjet shpatullës dhe krahut, ndërkohë që, po sipas mjekëve, kolegu i tyre kishte marrë një numër mjaft të madh goditjesh, jo vetëm në trup, por ka pasur plagë thike edhe në pjesën e dorës dhe në fytyrë.

Hetimet

Policia ka mbërritur në vendngjarje pas lajmërimit, megjithatë duket se përveç përshkrimit të parë të marrë nga dëshmitarja, nuk kanë asnjë detaj tjetër për të sqaruar ngjarjen e ndodhur dhe për të gjetur autorin e plagosjes. Në vendngjarje kanë qenë edhe krerët e komisariatit të Vlorës, ndërsa vetë ngjarja nuk ka lënë shumë hapësira për të mundësuar zbardhjen. Asnjë pistë konkrete në momentet e para të hetimit, por edhe me pyetjen e dëshmitarëve. Dyshimet nuk mungojnë se ndoshta autori ka qenë i njohur, ndoshta edhe pacient. Thika që ai ka pasur me vete flet për një skenar të paramenduar. Në komisariat janë shoqëruar e pyetur 6 persona, por as kjo nuk ka mundësuar për hapa të mëtejshëm në ecurinë e hetimeve. Edhe pse vendi ku ka ndodhur ngjarja është i rrahur nga lëvizjet, personat e pyetur kanë pohuar se ngjarja ka ndodhur shpejt dhe një prej tyre ka parë vetëm rënien përtokë të mjekut dhe largimin e personit. Familjarët dhe të njohur të mjekut kanë mohuar kategorikisht që ai të ketë pasur probleme e konflikte gjatë viteve të punës së tij.

Dëshmia

Karakteristikat e njeriut që e sulmoi

I gjatë, ezmer, veshur me një tip kostumi të lehtë sportiv blu të errët. Këto kanë qenë të dhënat për vrasësin, të dhëna nga dëshmitarja kryesore. Ajo është një grua, e cila punon shitëse në një nga dyqanet e veshjeve në qytet, dhe ishte pikërisht personi që i kishte kërkuar mjekut të shkonte në shtëpinë e saj për t’i bërë një vizitë të ëmës. Koçi, sipas saj, është nisur për ta ndihmuar, por personi tjetër i është afruar dhe i ka kërkuar të shkonte me të për shkak të një urgjence që kishte. Por, gruaja nuk ka pranuar që mjeku të shkojë pas tjetrit, duke pretenduar se edhe ajo kishte një rast urgjent. Në dëshminë e saj ajo shpjegoi se burri kishte reaguar menjëherë dhe se fillimisht ajo ishte hutuar duke menduar se dy burrat po përlesheshin. Gjaku para syve dhe mjeku i rrëzuar kishte bërë që ajo të vinte në vete e të fillonte të bërtiste duke kërkuar ndihmë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›