Esat Ademi, kandidat për nr.2 të Federatës Botërore të Peshëngritjes
Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi, është kandidat për t’u zgjedhur në forumet e reja të institucionit më të lartë të shtangës botërore. Ademi, i propozuar nga Federata Evropiane e Shtangës, atje ku është anëtar i Komitetit Ekzekutiv, në të njëjtën kohë është dhe president i Konfederatës Mesdhetare të Peshëngritjes. Këtë herë, Ademi konkurron për dy poste, së pari për zëvendëspresident, ndërsa janë në listë 30 kandidatë. Në të njëjtën kohë, Ademi është edhe në listën e kandidatëve dhe për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Botërore, teksa janë gjithsej 39 veta. Zgjedhjet e reja për Federatën Botërore të Shtangës do të zhvillohen më 31 mars në Madrid të Spanjës. Për Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, ky kandidim i Ademit, në të dy postet, është një tjetër tregues i reputacionit dhe prestigjit që institucioni më i lartë i shtangës shqiptare gëzon në arenën ndërkombëtare. “Zgjedhja e zotit Ademi në këto detyra të rëndësishme do të jetë një tjetër kontribut që Federata jonë do të japë në organizimin dhe drejtimin e peshëngritjes botërore. Dhe gjithçka vjen pas drejtimit që i ka bërë Konfederatës Mesdhetare, ku Ademi është president, ndërsa është edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Evropiane”, thuhet në komunikatën për shtyp të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Kjo e fundit shpreson që kandidatura e Ademit të gjejë mbështetjen e familjes së madhe të shtangës botërore. “Sepse do të jetë hera e parë në historinë e sportit shqiptar që një drejtues Federate mund të jetë i zgjedhur në forumet botërore”, përfundon komunikata për shtyp e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Ndërkohë, duhet përmendur dhe fakti tjetër që Ademi është rizgjedhur presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, kurse në të njëjtën kohë është edhe kandidat për president i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.