E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e Poezisë, nis nga Zeniti

• Dita e Poezisë dëshmohet se ka qenë e pranishme që prej vitit 1505.Ajo është kujtuar në muaj të ndryshëm të vitit dhe në forma të larmishme organizimi, sipas veçorive, besimeve dhe parapëlqimeve të secilit komb. 21 marsi, si Dita Botërore e Poezisë, u cilësua dhe u shpall si e tillë nga UNESCO në vitin 1999. Në nder të kësaj dite, në Shqipëri do të organizohen një gjerdan veprimtarish në Tiranë, Durrës, Berat dhe Korçë. Do të nisin në galerinë "Zenit" me bashkëorganizatorë në këtë aktivitet "Poetekën", Krenar Zejnon dhe Artur Shkurtin. Në ambientet e kësaj galerie do të recitohen vargje të njohur, do të dhurohen papiruse me poezi, do të çelet ekspozitë me dorëshkrime të ilustruara të poezisë e do të promovohet numri i ri i revistës "Poeteka". Përveç krijimit të një dite të veçantë në nderim të poezisë dhe krijimtarisë poetike, qëllimi i Ditës Botërore të Poezisë është përkrahja e leximit të poezisë, nxitja e krijimtarisë poetike, botimi i saj si dhe krijimi i një atmosfere mikpritëse për praninë poetike kudo në botë. UNESCO e ka ndërmarrë këtë hap për t'i dhënë gjallëri, vlerësim dhe shtysë lëvizjeve poetike kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare. Duke e konceptuar këtë ditë si Ditë të Poezisë dhe jo të poetit, veprimtaritë ngulmojnë më shumë largimin nga klisheja dhe takimet rutinë ku ata që e "dinë" zejen e krijimit poetik, u flasin po atyre që e "dinë" apo kërkojnë ta mësojnë këtë zeje. Veprimtaritë këtë vit u drejtohen niveleve shkollore, universitare dhe lexuesve që besojnë ende në poezi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›