PDSH thellon hendekun me Kosovën
• Liderët e Kosovës kanë organizuar një takim me partitë shqiptare të Shkupit, një ftesë që u refuzua nga lideri i partisë shqiptare në pushtet, PDSH, Menduh Thaçi.Duket se marrëdhëniet mes PDSH-së dhe zyrtarëve të Prishtinës janë ftohur më tej. Menduh Thaçi ka shprehur dyshime që me marrjen e ftesës, nëse do të merrte pjesë në takimin e së enjtes në Prishtinë apo jo. "Kam shumë punë më të rëndësishme se sa të merrem me premtime qesharake dhe të fëlliqura politike. Njohja e pavarësisë së Kosovës duhet të ndodhë në Shkup, jo në Prishtinë. Prishtina është një marketing qesharak i palejueshëm, i turpshëm për shqiptarët", tha Menduh Thaçi. PDSH-ja i ka ftohur marrëdhëniet me zyrtarët në Kosovë, që pas një deklarate të Kryeministrit Hashim Thaçi, se për situatën në Maqedoni diskuton me Ali Ahmetin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) dhe Bardhyl Mahmutin e Bashkimit Demokratik Shqiptar (BDSH), duke e përjashtuar këtë parti. Edhe kryetari i PPD-së, (i afërt me PDSH), Abdyladi Veseli, bojkotoi takimin. Ndërsa kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se kjo vizitë do të rikonfirmojë marrëdhëniet e mira mes dy vendeve. "Para shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka pasur qëndrime konstruktive se do të ndiqet linja e SHBA-së dhe BE-së. Mendoj se Maqedonia do të qëndrojë në këtë premtim të dhënë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Është ndoshta çështje kohe kur do të ndodhë momenti i rëndësishëm i njohjes që ka vlerë edhe për Maqedoninë dhe për Kosovën", tha Ali Ahmeti i BDI-së. Takimi në Prishtinë është thirrur vetëm një ditë para fillimit të procesit të shënimit të vijës kufitare mes dy vendeve. Komisione dypalëshe do të duhet të takohen që të shënojnë kufirin siç është parashikuar edhe në planin e Marti Ahtisarit. Por takimi vjen edhe në kohën kur janë shtuar zërat se Maqedonia shumë shpejt do të njohë pavarësinë e Kosovës. Të gjitha partitë politike shqiptare pa përjashtim thonë se Maqedonia duhet të njohë Kosovën sa më shpejt. Sipas Ahmetit, njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Shkupit është çështje e kryer, sepse Maqedonia e ka njohur pavarësinë e Kosovës, pavarësi kjo e cila është shpallë në përputhshmëri me dokumentin gjithëpërfshirës të Presidentit Ahtisari, që është përkrahur nga ana e Shkupit. Në takimin mes Presidentit Fatmir Sejdiu, kryeministrit Hashim Thaçi, kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, me liderin e BDI-së, Ahmeti, u zotua se Maqedonia dhe Kosova duhet të kontribuojnë në stabilitetin e përgjithshëm rajonal në mënyrë që të ecin në drejt integrimeve euroatlantike. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti tha se ka sjellë në Prishtinë gëzimin që është përjetuar më 17 shkurt të shqiptarëve të Maqedonisë. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, premtoi përkushtime të përgjegjshme të palës kosovare për bashkëpunim me autoritetet në Shkup.