Plehrat pranë përrenjve, rrezikohen punëtorët
GJIROKASTER - Shtretërit e përrenjve malorë në Gjirokastër shndërrohen në rrezik për punonjësit e pastrimit. Ekzistenca e municioneve të braktisura dhe të hedhura nga persona të ndryshëm në këto hapësira ka krijuar probleme serioze në evadimin e mbetjeve urbane në zonat e Përroit të Cullos, atë të Ficos dhe të Dunavatit. Për shefin e Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit në Bashkinë e Gjirokastrës, Përparim Kore, kjo situatë është tejet kritike, pasi punonjësit përballen jo vetëm me rrezikun e mbajtjes me ekuilibër në shpatet e shtretërve të përrenjve, por edhe me atë të shpërthimit të municioneve. Prej vitesh në lagjet e sipërme të Gjirokastrës, fatkeqësisht është krijuar një kulturë aspak qytetare. Banorët e këtyre lagjeve në mungesë të një vend-grumbullimi të mbetjeve urbane, e shikojnë të udhës të hedhin plehrat në shpatet e përrenjve duke i shndërruar ato në zona të rrezikshme dhe potencialisht kritike në përhapjen e infeksioneve apo epidemive të ndryshme. Ndonëse apelimet nuk kanë munguar, sërish ndërgjegjësimi i komunitetit ngelet në nivele të papërfillshme. çdo ditë në Gjirokastër largohen rreth 100 metra kub mbetje urbane. Ndërmarrja e Pastrimit ka në dispozicion katër automjete transporti të mbeturinave, të cilat pas grumbullimit, përcillen në zonën pranë shtratit të lumit Drino. p.n