Pranga “shefit” të Task-Force, mashtronte shoferët për para
ELBASAN- Prezantohej si shef i njësisë së Task-Forcës në zyrën e Tatim Taksave, duke përfituar me përvetësimin e këtij titulli shtetëror shuma të mëdha parash. Bashkim Alla kishte rreth 3 muaj që prezantohej në segmente të ndryshme të Elbasanit e Librazhdit si shefi i Task-Forcës. Mësohet se 40-vjeçari, nga fshati Zgozh në Librazhd, dilte në periferi të dy qyteteve dhe ndalonte drejtues mjetesh duke iu bërë presion se do t’i gjobiste për mungesa të ndryshme në dokumente. Në këmbim që t’i linte të lirë dhe të mos iu vendoste gjoba të majme, 40-vjeçari iu kërkonte atyre para. Burime nga policia bënë të ditur se Alla prezantohej tek drejtuesit e mjeteve me emrin Klodian Elezi, emër që në fakt rezultoi të jetë i rremë. Ai ndalonte mjetet në rrugë, i veshur civil dhe iu prezantohej si zyrtar i Task-Forcës. Një situatë e tillë është krijuar me shoferin e taksisë, A.H., më 11 qershor. “Shefi i Task-Forcës” i kërkoi atij 200 euro, të cilat përballë presionit dhe një gjobe të mundshme, ai ia kishte dhënë. Një ditë më vonë, 40-vjeçari e kishte ndaluar sërish taksistin në rrugë, me një tabelë policie, të cilën ai e përdorte për të ndaluar makinat. Ai i kërkoi taksistit edhe 200 euro të tjera, me pretekstin se janë shumë punonjës në zyrën e Task-Forcës të cilëve ai duhet t’iu japë një pjesë të parave. Pikërisht në këtë moment shoferi i taksisë, thirri policinë. Kjo e fundit, në orën 23:00 të së shtunës arrestoi në kushtet e flagrancës 40-vjeçarin Bashkim Alla. Në momentin e arrestimit, Allës iu sekuestruan një sasi prej 87 mijë lekësh të reja, të cilat ai i mbante me vete. Ndërsa sasia e eurove që i kishte marrë taksistit nuk iu gjet në xhepa. a.k