E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Rritja ekonomike për 2009 vetëm 0.4 për qind

 

Fabiola Çela

Këtë vit ekonomia shqiptare do të rritet vetëm me 0.4 për qind. Kjo si pasojë e efekteve negative të krizës globale. Sipas raportit më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, edhe pse rritja ekonomike në 2009-ën do të jetë e ulët, përsëri Shqipëria mbetet ndër vendet e rajonit që është prekur më pak nga kriza globale.
FMN
Si pasojë e krizës globale financiare, ekonomia shqiptare do të kalojë dy vite të vështirë, ku rritja ekonomike do të jetë në nivele minimale. Ky është konkluzioni i nxjerrë nga ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Sipas raportit më të fundit të FMN-së, gjatë vitit 2009 rritja ekonomike në Shqipëri do të jetë vetëm 0.4 për qind, niveli më i ulët që nga kriza e vitit 1997.
Sipas FMN-së, ritmet e rritjes ekonomike krahasuar me 2008-ën, ku rritja vlerësohet të ketë qenë 6.8 për qind, do të bien këtë vit me 17 herë. Sipas raportit të FMN-së, rigjallërimi ekonomik i Shqipërisë në nivelet e para krizës do të jetë i ngadaltë, pasi edhe për vitin e ardhshëm rritja mendohet të jetë në nivelet më të ulëta, vetëm 2 për qind. Sipas FMN-së, Shqipëria është i vetmi vend në Evropën Qendrore dhe atë Jugore, i cili për këtë vit do të ketë rritje ekonomike. Të gjithë vendet e tjera, duke filluar që nga Bosnja e deri tek Turqia do të hyjnë në recension, ku rënia ekonomike mendohet të jetë nga 0.7 deri në 12 për qind.
FMN-ja ka parashikuar një rënie të çmimeve të mallrave ushqimorë në vend. Fondi Monetar parashikon që çmimet në tregun me pakicë në Shqipëri të kenë këtë vit normat më të ulëta të rritjes dhe inflacioni të jetë në nivelet minimale të 20 viteve të fundit me vetëm 1.5 për qind. Pra, sipas parashikimeve të FMN-së, niveli i inflacionit në vend do jetë nën cakun e vendosur nga Banka e Shqipërisë dhe qeveria, të cilat kanë përcaktuar një interval prej 2-4 për qind të inflacionit vjetor në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›