E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Tortura në polici me shkop bejsbolli”

 

Trazhgim Sokolaj

Një oficer policie denoncohet në zyrën e Kryeprokurores Ina Rama dhe te prokurori i rrethit Dibër për “torturë” dhe “kryerje të veprimeve arbitrare”. Pavlin Zhivani, oficer i Policisë Gjyqësore në komisariatin e Dibrës, është kallëzuar penalisht nga Avokati i Popullit. Oficeri dyshohet për rastin e 15-vjeçarit Edison Lleshi, i cili u hodh nga kati i dytë i godinës së policisë, rreth nëntë metra lartësi, pasi ishte ndaluar me dyshimin se kishte kryer një vjedhje. Hetimi paraprak sugjeron përkundër pretendimeve të policisë për arratisje, se i mituri Edison Lleshi është hedhur nga dritarja pasi ishte gjendur nën dhunë fizike, psikologjike e verbale të oficerit Zhivani për të pranuar vjedhjen. Ngjarja e ka zanafillën më 3 prill 2009, rreth orës 20:00. I mituri Edison Lleshi me bashkëmoshatarët e tij Kevian Shini e Bledar Manga ndodheshin atë natë te lokal “Shpella” në Peshkopi. Pronari i lokalit, Qani Iskurti, pretendonte se të miturit ishin autorë të vjedhjes së barit të tij më 1 prill 2009, ku ishin marrë sende si një video, një celular “Samsung” dhe disa DVD. Për këto pretendime, pronari i lokalit Qani Iskurti ka lajmëruar policinë. Patrulla e përgjithshme bëri më vonë shoqërimin e të miturve në komisariatin e Peshkopisë. Ata u mbajtën në katin e dytë të godinës së policisë, te zyra e shefit të Parandalimit të Krimeve dhe Policimit në Komunitet, Pavlin Zhivani. Ai i ka marrë në pyetje fëmijët në lidhje me vjedhjen e ndodhur më 1 prill 2009 në lokalin “Shpella” në Peshkopi. Gjatë marrjes në pyetje, i shoqëruari Bledar Manga pranoi autorësinë e vjedhjes te lokalit “Shpella”. Ai pretendoi se krimin e kishte kryer në bashkëpunim me bashkëmoshatarët Edison Lleshi dhe Kevian Shini. Në kallëzim pretendohet se oficeri Pavlin Zhivani ka insistuar që të miturit Edison Lleshi dhe Kevian Shini të pranonin bashkautorësinë e vjedhjes. “Ndaj tyre është përdorur dhunë fizike dhe psikologjike. Shtetasi Kevian Shini është qëlluar me pëllëmbë në pjesët e fytyrës, ndërsa shtetasi Edison Lleshi është qëlluar me një send të fortë, shkop tip bejsbolli në shputat e të dy këmbëve pasi ishin hequr atletet”, sugjeron kallëzimi. Sipas tij, oficeri i policisë duke parë reagimin e të miturve Edison Lleshi dhe Kevian Shini që nuk pranonin autorësinë e vjedhjes, ka përdorur presion psikologjik duke u thënë se, “pavarësisht se ju nuk e pranoni vjedhjen, do të dënoheni me burg nga 6 muaj deri në 5 vjet burgim”. Ai iu lexonte nenin përkatës në Kodin Penal për masën që do të aplikohej ndaj tyre dhe ua vendoste para fytyrës”, thuhet në padi. Megjithatë fëmijët nuk kanë pranuar akuzën, duke sqaruar oficerin se nuk ishin autorë të ngjarjes. Rreth orës 01:30, mesnatën e 4 prillit 2009, oficeri Pavlin Zhivani i ka lënë të lirë fëmijët, duke u thënë të paraqiteshin të nesërmen përsëri në polici. Një ditë më pas, rreth orës 20:00 janë shoqëruar në komisariatin e Peshkopisë i mituri Edison Lleshi me babanë Avni Lleshi, fëmija tjetër Kevian Shini me gjyshin i tij Faik Shini, si dhe bashkëmoshatari i adoleshentëve Bledar Manga me babanë e tij Femi Manga. Oficeri Pavlin Zhivani ka këmbëngulur që fëmijët të pranojnë vjedhjen, ai madje u kërkoi prindërve të flisnin veçantë me adoleshentët. Fëmijët përsëri nuk kanë pranuar akuzën e vjedhjes. Në kohën kur Faik Shini dhe nipi i tij Kevian Shini po pyeteshin në zyrën e oficerit Zhivani, është dëgjuar një thirrje “u hodh”. Në prani të babait të tij dhe policit Sinan Merdini, 15-vjeçari Edison Lleshi ishte hedhur nga dritarja e katit të tretë të komisariatit në pjesën e prapme të ndërtesës.

Dëshmia e 15-vjeçarit: Më qëlluan me shkop

“Unë u thashë se nuk kisha bërë vjedhje, por policët më godisnin me pëllëmbë, grushte dhe shkop në shputat e këmbëve pasi më hoqën këpucët. Gjatë pyetjes ishin dy civilë që më godisnin, njëri quhej Pavlin, ishte shefi i krimeve dhe tjetri quhej Tan Sopoti… Pashë që Pavlini ka rrahur dhe shkulur flokët shokut tim Kevian Shini… Gjatë pyetjes policët më kërcënonin duke thënë që po nuk tregove do të fusim në korent…”, ka dëshmuar Edison Lleshi për dhunën në policinë e Dibrës.

Adoleshenti: Pashë skenën e dhunës
Kevian Shini, moshatar i Edison Lleshit ka dëshmuar: “…Të parin në zyrë Pavlini më mori mua dhe më goditi me shpullë nga fytyra dy-tri herë, duke më pyetur se a keni marrë se do t’ju fus në burg”… “Unë dhe Edisoni kemi qenë në sallon kur ka thirrur në zyrë Pavlini që të shkonte Edisoni. Dëgjova zhurmë, të bërtitura të Edisonit: ‘O bre këmba’ dhe pas pak ka dalë tek dera e zyrës Pavlini, i cili më thirri të shkoja unë aty. Kur shkova tek zyra,
pashë Pavlinin që po i binte Edisonit me një
shkop nga këmbët…”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›