Vetëvaret shoferi i Urdhrit të Mjekut
Shoferi i Urdhrit të Mjekut ka vrarë veten për shkak të varfërisë. Këto janë dyshimet e para të policisë në lidhje me vetëvarjen e Avni Kitës. Ai u gjet i vetëvarur mëngjesin e djeshëm përpara repartit infektiv te qendra spitalore “Nënë Tereza”. Nga informacionet e para bëhet e ditur se viktima ishte punonjës pranë Urdhrit të Mjekut. Ndërkohë, ende nuk bëhen të ditura zyrtarisht arsyet e këtij gjesti, pavarësisht se nga grupi hetimor mendohet se një prej shkaqeve që e ka çuar personin në fjalë në një veprim të tillë, mund të ketë qenë depresioni për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar policia, e cila ka nisur dhe hetimet e para. Trupi i pajetë është gjetur prej kalimtarëve të rastit, të cilët kanë njoftuar më pas policinë. Mendohet që viktima të jetë varur në pemë, duke hipur mbi makinë. Më pas trupi i viktimës është transportuar prej policisë në morg, ku pritet që t'i bëhen edhe ekzaminimet e fundit për të nxjerrë në dritë të vërtetën. Sipas të dhënave nga spitali, ai ishte shoferi i Institucionit të Përgjithshëm të Urdhrit të Mjekut. Nga të dhënat e kolegëve të tij, mësohet se ai ishte njeri i qetë, por tip depresiv. Ai nuk kishte shfaqur më parë probleme për vetëvrasje. Ndërkaq, policia ka pyetur edhe familjarët e tij në lidhje me këtë ngjarje, të cilët kanë deklaruar se nuk e dinin pse e kishte kryer këtë veprim.
#