E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e Verës, maratonë aktivitetesh në Tiranë

Dita e Verës quhet e tillë sepse më 14 mars bimësia zgjohet nga gjumi dimëror. Në këtë ditë bimësia fillon të thithë lëngjet nga toka dhe kështu të rritet. Ky zakon i lashtë është i vetëm në botë dhe ndonëse qendra e festimit të tij është qyteti i Elbasanit, ajo i përket të gjithë shqiptarëve. Tani kjo festë është bërë festë kombëtare, duke sjellë një atmosferë  festive për kryeqytetin. Sot janë planifikuar një sërë aktivitetesh kulturore nga Bashkia e Tiranës. Ditës e Verës do të festohet në kryeqytet me një gamë të madhe aktivitetesh, të cilat do të organizohen nga Bashkia e Tiranës gjatë të gjithë ditës deri në orët e vona të mbrëmjes në të gjitha sheshet e kryeqytetit, që nga sheshi "Skënderbe", bulevardi "Dëshmorët e Kombit", sheshi "Nënë Tereza" dhe zona e ish-Bllokut. Një nga risitë e kësaj feste është se këtë vit, i cili shënon edhe edicionin e pestë të festimeve që organizon Bashkia e Tiranës për Ditën e Verës, është edhe mbrëmja në zonën e ish-Bllokut, ku do të performojnë grupe rock-u europiane nga Holanda, Danimarka, Republika Çeke dhe grupe rinore alternative shqiptare. Këshilltarja për Marrëdhëniet me Publikun në Bashkinë e Tiranës, Belinda Balluku, u shpreh dje gjatë një konference për shtyp se risia e këtyre festimeve këtë vit  është se ambasadorët e Holandës, Danimarkës dhe Republikës Çeke kanë qenë edhe organizatorët e vërtetë, së bashku me Bashkinë e Tiranës, të aktivitetit "Rock  the Block".
   

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›