E Diel, 1 Nëntor 2026

Aktorët kosovarë duartrokiten në skenën teatrore të Napolit

Regjisori Bekim Lumi së bashku me aktorët e shfaqjes Mësimi po prezantohet gjatë këtyre ditëve me sukses në teatrot italiane. Kështu disa javë pas paraqitjes në teatrin Cantieri Teatrali Koreja në Leçe të Italisë, pjesa teatrore Mësimi e regjisorit Bekim Lumi me lojën e aktorëve Astrit Kabashi e Adriana Matoshi, ka disa ditë që po shfaqet në Napoli në teatrin Galleria Toledo, i cili e ka blerë këtë shfaqje, për datat 12, 13, 14 dhe 15 mars. Galleria Toledo njihet si një nga stacionet e rëndësishme teatrore ndërkombëtare, në të cilin me shfaqjet e tyre janë paraqitur emra të njohur të artit skenik botëror, midis të cilëve edhe regjisori i shquar Peter Brook. Shfaqja Mësimi disa kohë më parë u prezantua në Festivalin Ndërkombëtar Incontri Teatrali në Lugano të Zvicrës në prill të vitit 2008, ku kjo shfaqje, bashkë me shfaqje të tjera zvicerane e italiane, është paraqitur para producentëve dhe menaxherëve nga vende të ndryshme të botës. Gjatë paraqitjes së saj në Leçe, shfaqja Mësimi është mirëpritur me duartrokitje dhe ovacione nga publiku italian, por ajo gjithashtu ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave të shumta italiane si: Corriere Della Sera, La Republica, Il Paese Nuovo, Corriere del Mezzogiorno, etj. Shfaqja Mësimi e pati premierën në shkurt të vitit 2002 në teatrin Dodona. Nga kritika teatrore vendore kjo shfaqje është vlerësuar si një nga shfaqjet më të mira në Kosovën e pas viteve të luftës. Ajo, gjithashtu, është vlerësuar me tone të larta edhe nga kritika teatrore zvicerane. Në tetor të vitit 2006, në një konkurrencë të fuqishme ndërkombëtare, në Festival Internazionale del Teatro, në Lugano të Zvicrës, por shfaqja Mësimi është nderuar me çmimin Shfaqja më e Mirë, ndërkohë që deri tani ajo është prezantuar edhe në disa festivale tjera me karakter ndërkombëtar në Francë dhe në Greqi. Regjisori Bekim Lumi, në aktivitetin e tij artistik njihet si një artist me një gamë të gjerë artistike. Studimet për regji teatri i ndoqi në vite1992-96 në Fakultetin e Artit Skenik (klasa e prof.Agim Qirjaqit), në Akademinë e Arteve në Tiranë. Ai është autor i disa shfaqjeve të realizuara në Teatrin Dodona dhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Në prill të këtij viti shfaqja e tij Çifti Martin do të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar Teatror Incontri Teatrali në Lugano të Zvicrës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›