E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, MB: Bashkia e Tiranës ka shkelur afatet

Ministria e Brendshme duke theksuar rëndësinë e veçantë që i ka kushtuar qeveria transferimit të pronave publike tek njësitë e qeverisjes vendore, hedh poshtë pretendimet e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama lidhur me këtë proces. Sipas kësaj ministrie, Bashkia e Tiranës duke shkelur të gjitha afatet, vendimin e Këshillit të Bashkisë me kërkesat për transferimin e këtyre pronave e ka sjellë pas një viti. Përmes një deklarate për shtyp, ministria e Brendshme reagoi ndaj pretendimeve të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, lidhur me proçesin e transferimit të pronave publike duke theksuar ndër të tjera se ka përfunduar inventarizimi i pronave, i konkretizuar në VKM, dhe nga ana e Bashkisë Tiranë, dëshmohet mungesë serioziteti institucional. Si rezultat i këmbënguljes së vazhdueshme dhe asistencës së stafit të Agjencisë së Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike edhe për Bashkinë e Tiranës përfundoi inventarizimi i pronave, i konkretizuar në VKM nr 834 date 13.12.2006. Duke shkelur të gjitha afatet, Bashkia e Tiranës e ka sjellë pas një viti vendimin e Këshillit të Bashkisë me kërkesat për transferimin e këtyre pronave Vazhdimisht nga Bashkia e Tiranës kanë ardhur kërkesa të tjera për transferim me ndryshime të njëpasnjëshme, duke dëshmuar një mungesë të qartë serioziteti institucional, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme. Zëdhënësi i kësaj ministrie, Fatmir Konja ka deklaruar se qeveria me një vendim të vitit 2007, ka kaluar në pronësi të Bashkisë Tiranë, trojet për politikat e strehimit për banesa kolektive. Qeveria me VKM nr 610 datë 12.09.2007 ka kaluar në pronësi të Bashkisë Tiranë, trojet për politikat e strehimit për banesa kolektive dhe përsëri kjo bashki ka kërkuar ndryshime me pretendimin se nuk i ka reflektuar të dhënat saktë, dhe pas kësaj qeveria është shprehur përsëri me VKM Nr 211 të datës 25.02.2009, thuhet në deklaratën e MB. Ndër të tjera, në këtë deklaratë bëhet e ditur se procesi i transferimit të pronave nuk do të shërbejë për abuzim me trojet publike. Dëshirojmë ti bëjmë të qartë Bashkisë së Tiranës se procesi i transferimit të pronave publike nuk do të mundet të shërbejë si një mundësi abuzimi me trojet publike duke ua dhënë firmave private si sheshe ndërtimi, përfundon deklarata.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›