E Diel, 1 Nëntor 2026

"Pranvera Frankofone Aktivitete kulturore në Tiranë, dhe në qytete të tjera

Aktivitete të ndryshme janë pjesë e këtij sezoni, i cili starton në Ditën e Verës
Mbërrin në vendin tonë "Pranvera e Frankofonisë". Aktivitete të ndryshme janë pjesë e këtij sezoni, i cili starton në Ditën e Verës deri më 31 mars. Do të jenë të shumta aktivitetet që do të organizohen me këtë rast, sikundër është fakt që nuk është vetëm ambasada franceze që do të iniciojë aktivitete në kuadër të kësaj stine në vendin tonë, por dhe ambasada të vendeve të tjera. Shumë prej veprave që do të vihen në skenën e teatrove shqiptare, janë dhe pjesë e këtyre aktiveve,pasi ato janë realizuar në sajë të ndihmës së artistëve francezë. Kështu premiera e baletit Gjenerali i ushtrisë së vdekur bazuar mbi romanin e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare vjen në kuadër të këtyre veprimtarive. Kjo shfaqje baleti vjen me një vizion të ri hapësinor dhe trajtim skenik nga skenografi Valerio Ferrari (Francë), ndërkohë kostumet janë realizuar nga Anne Brault. Bashkëpunëtor dhe konsulente e koreografit është Laura Frigato. Edhe këtë vit do të ketë shumë manifestime në shumë qytete të Shqipërisë dhe sigurish edhe në Tiranë si: teatër, kërcime, koncerte, filma dhe dokumentarë frankofon, ekspozita fotografike, piktura, konferenca dhe debate rreth letërsisë frankofone, të kulturës frankofonë, me autore shqiptare si Fatos Kongoli, Edmond Tupja, Maks Veloetj, gjithashtu do të ketë spektakle të organizuara nga institucionet shkollore dhe Aleancat Franceze, konkurse për gjimnazisteve. Përveç këtyre aktiviteteve të shumta Ambasada Franceze organizon pjesë në leximin dy gjuhësh te veprës Lëkura e Qenit¨ e Fatos Kongolit, me pjesëmarrjen e Edmod Tupes dhe aktorit dhe regjisorit francez Frantz Helmer. Ky lexim do te pasohet nga një tavolinë e rrumbullakët  mbi përkthimin dhe interkulturalitetin e animuar nga Fatos Kongoli,Edmond Tupja dhe Diana Çuli. Ky aktivitet  do të zhvillohet në ambientet e Aleancës Franceze të mërkurën më 25 mars. Ditën e premte më 27 mars ora 10 në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë, shkrimtari Maqedonas lindur në Pogradec, Luan Starova do të mbajë një konferencë mbi jetën dhe veprën e tij. Gjithë aktivitetet janë falas për të gjithë ata që do ti ndjekin. George Danden, ose Bashkëshorti konfuz një nga komeditë më të veçanta të Molierit do të vijë në skenë në datën 28 dhe 29 mars. Teatri i Metropolit si pjesë e Qendrës Kulturore Tirana do të nisë sezonin e tij artistik me këtë kryevepër të Molierit. Regjisori i njohur francez  Franc Helmer ka disa ditë që po zhvillon provat me aktorët shqiptarë, por dhe ato francezë. Shfaqja teatrore do të vijë për publikun në një mënyrë ndryshe nga ajo që ndiqet në skenën teatrore në vendin tonë. Vepra e Molierit George Danden do të vijë për publikun si një teatër bilingual( dygjuhësh) në gjuhën shqipe dhe atë franceze. Kasta e aktorëve përbëhet nga tetë emra të rinj të teatrit si: Adelina Muça e cila do të interpretojë Anzhelikën, Alert Çeloaliaj do të jetë personazhi Dandin,etj. Në një prononcim dhënë për gazetën regjisori francez Helmer tregon se pjesa do të vijë në një mënyrë shumë interesante. Ajo do të përmbajë brenda saj dhe folklorin shqiptar, pasi në vitin 1668 kur u shkrua nga Molieri vepra kishte dhe muzikën franceze. Teatri do të jetë i ndërthurur me muzikë. Do të ketë pjesë nga folklori shqiptar, i cili do ti japë dhe më shumë atmosferën e fshatit në këtë vepër të Molierit, i cili është dhe shpikësi i komedisë muzikore, dhe prandaj dhe në këtë vepër ne do të kemi dhe muzikë shqiptare. Meqë pjesa zhvillohet në fshat folklori shqiptar e evokon dhe më shumë atmosferën e fshatit,u shpreh regjisori francez. I pyetur për shfaqjen që do të jetë në dy gjuhë ai u përgjigj se me anë të kësaj takohen dy kultura të ndryshme. Unë kam mbi 30 vjet që punoj dhe kam qenë në shumë vende të botës. Teatri bilingual është i rëndësishëm sepse me anë të tij bëhet dhe shkëmbimi mes kulturave të ndryshme. Shfaqja do të jetë në dy gjuhë dhe shpresoj që ajo të lërë shije tek publiku, cilësoi ndër të tjera francezi Helmer. Disa nga vështirësitë e veprës sipas tij janë: Jemi të detyruar që të kemi një përkthyes dhe të përpiqemi që të bëjmë gjëra të ndryshme dhe të kuptohen. Sipas regjisorit francez aktorët shqiptarë janë shumë të mirë. Ata punojnë me pasion dhe janë të aftë. Aktorët janë shumë të mirë, janë shumë të këndshëm dhe ky projekt i argëton, shprehet regjisori francez. Më tej gjatë prononcimit të tij ai u shpreh se nuk dinte shumë për teatrin shqiptar, por këtë vepër në skenën shqiptare ai shikonte si një sfidë. Unë kam shumë vite që punoj, por nuk jam njohur me teatrin shqiptar. Unë shikoj që aktorët janë të mirë dhe se këtë vepër të Molierit unë e shikoj si një sfidë në skenën teatrore, theksoi Helmer. Por janë të shumtë personalitete e artit dhe kulturës në vendin tonë që me veprat e tyre janë bërë pjesë  e rëndësishme e shkëmbimeve kulturore. Kështu disa personalitete shqiptare si shkrimtari i njohur Ismail Kadare, shkrimtari Fatos Kongoli, shkrimtari dhe ish-Ministri i Punëve të Jashtme, Besnik Mustafaj, përmes veprës së tyre të përkthyer në Francë apo dhe në vende të tjera, kanë ngritur ura të vërteta komunikimi ndërmjet kulturave.  Ndërkohë që aktivitete të tjera të larmishme do të jenë pjesë e këtij sezoni dhe për publikun në qytete të tjera të vendit. Shqipëria u pranua në vitin 2006 si anëtare me të drejta të plota e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë.

Last Updated on Friday, 13 March 2009 23:04

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›