E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e Verës ndez kryeqytetin

Të mbështetur edhe nga tri ambasada të huaja në Shqipëri, përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës kanë zbardhur dje edhe axhendën e zgjeruar festive të Ditës së Verës, një festë tashmë kombëtare në Shqipëri. Sipas përfaqësuesve të vendorëve kryeqytetas, qendra e Tiranës dhe zona të tjera të saj sot do të shndërrohen në ambiente feste dhe lirshmërie publike ku gjithsecili mund të gjejë argëtimin e preferuar. Fëmijët dhe të rinjtë janë ata që do të "përfitojnë" më shumë nga kjo festë.

Koncert me grupe rock dhe muzikë alternative do të "pushtojnë zonën e Bllokut, mjaft e preferuar nga rinia kryeqytetase. Kjo do të përbëjë edhe atë që u quajt risia e kësaj dite nga ana e drejtoreshës së Marrëdhënieve me Publikun në Bashkinë e Tiranës, Belinda Balluku. Në koncertin e "Rock the Block" që do të ndalojë në rrugën "Ismail Qemali" dhe atë "Dëshmorët e 4 Shkurtit" nga ora 18:00 e në vazhdim do të performojnë grupet daneze "Some Shape to Enter", "Kato", grupi holandez "Colligan", ai çek "New Collection", si dhe këngëtarët shqiptarë të përfaqësuar nga grupet muzikore "Qelbanix", "Crossbones", "Kody", "Sunrise" dhe të tjerë.

Festa do të nisë paraditen e sotme në sheshin "Skënderbej" me këngët dhe vallet e Ansamblit "Tirana". Më pas, akrobatë dhe klounë nga Cirku i Tiranës do të argëtojnë fëmijët e pranishëm, ndërsa banda e qytetit do të fillojë rrugëtimin në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Në shesh, nuk do mungojë këndi i kulinarisë shtëpiake me gatime tradicionale, që do të ofrohen për shijim, nga një grup amvisash të qytetit të Tiranës, bashkë me recetën e gatimit. Lulishtja "Skënderbeu" do të jetë e gjitha e fëmijëve, që nga mesdita. I pranishëm do të jetë edhe libri, përmes projektit: "Të lindur për të lexuar". Bulevardi "Dëshmorët e Kombit" do të kthehet në një panair argëtues, plot me kënde dhe çadra ku të rinjtë e rrjetit rinor do të krijojnë një atmosferë krijuese dhe gazmore. Një vend të veçantë, do të ketë edhe prezantimi i botimeve nga shtëpitë botuese shqiptare. Ndërkohë, duke ecur poshtë në sheshin përpara Piramidës, një kuartet instrumental do të performojë nga ora 12.00 deri në 16.00. Në Parkun "Rinia", Bashkia e Tiranës do të instalojë një sistem Karaoke, që i fton të gjithë të bëhen protagonistë të këngës. Një tjetër risi në këto festime është projekti "Pasarela", që organizohet nga Shoqata e Stilistëve Profesionistë, me koleksione të studentëve të modës. Sheshi "Nënë Tereza" do të jetë hapësira për të gjithë të pasionuarit e Skateboard-it dhe Grafitit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›