E Diel, 1 Nëntor 2026

Dita e Verës, rikthehen radhët e gjata në Kapshticë

15/03/2005  Gjatë ditës së djeshme rreth 1300 emigrantë kanë pritur me orë të tëra

KORÇË – Radhë të gjata pritje të emigrantëve shqiptarë në doganën greke të pikës së kalimit kufitar të Kapshticës. Kanë qenë të shumtë shqiptarët, që janë kthyer nga shteti grek në vendlindjen e tyre me rastin e festave.

Vetëm ditën e djeshme, në pikën e kalimit kufitar të Kapshiticës, kanë ardhur mbi 1300 shtetas shqiptarë me qëllimin për të festuar së bashku me familjet e tyre festën e ditës së verës. Disa prej tyre shprehen se kanë ardhur për të qëndruar pranë familjeve për një kohë më të gjatë, të paktën deri në festën e Pashkës, çka do të thotë për gati dy muajt në vazhdim, pasi kjo festë pritet të zhvillohet në fillim të majit për besimtarët ortodoksë. Madje, sipas tyre, gjatë kësaj kohe kanë bërë të mundur edhe rinovimin e dokumentave të qëndrimit në shtëtin grek, gjë e cila bën të mundur edhe kthimin e tyre në këtë kohë.

Komandanti i pikës së kalimit kufitar të Kapshticës, Ylli Gaxhi, bën të ditur për gazetën ”Metropol“ se për ditën e verës kanë kaluar në këtë pikë rreth 300 automjete të vogla dhe 8 autobusë, gjë e cila i ka gjetur të papërgatitur punonjësit e kësaj dogane. Sipas Gaxhit, ky ishte një fluks i paparashikuar, çka ka justifikuar në njëfarë mënyre edhe vonesën e kalimit të shtetasve shqiptarë si dhe krijimin e rradhëve të gjata në këtë pikë. Emigrantëve shqiptarë ju është dashur të presin me orë të tëra veçanërisht në doganën greke. Zakonisht, kjo doganë punon vetëm me dy sportele, por duke parë fluksin e madh të kaluesve është hapur edhe një sportel tjetër për të përballuar rradhët e gjata, por pa sukses.

Ndërsa në doganën shqiptare gjithçka ka vazhduar normalisht, pasi kryedoganieri mori masat dhe hapi 4 sportele në mënyrë që emigrantët të kalonin sa më parë për të festuar festën e ditës së verës.

Ky fluks i madh njerëzish, ka vazhduar deri në orën 18.00 të mbrëmjes së djeshme, gjë e cila ka paraqitur problem, sidomos për ata shtetas të cilët duhet të udhëtonin për disa orë të tjera në drejtim të shtëpive të tyre.

Mbërrijnë emigrantët bashkë me Ditën e Verës

SARANDË - Festa e ardhjes së pranverës në qytetet Sarandë, Delvinë dhe Konispol ka sjellë në tokën shqiptare më shumë se 250 emigrantë nga Greqia.

Sipas burimeve nga pika e kalimit kufitar në portin e Sarandës mësohet se dy ditët e fundit ka një dyfishim të numrit të personave që kalojnë për në tokën shqiptare.

Me mbërritjen në tokën shiptare, vetë emigrantët e kthyer kanë bërë të ditur se qëllimi i ardhjes së tyre në Shqipëri lidhet me kalimin e festës së Ditës së Verës pranë familjeve.

Të ardhurit nga shteti fqinj kanë qenë kryesisht nga rrethet Sarandë, Delvinë, Gjirokastër, Fier dhe Vlorë.

Nga pika e Kalimit Kufitar të Qafë Botës, kanë hyrë në territorin shqiptar 75 emigrantë, kryesisht nga bashkia e Konispolit, komuna e Markatit, Xarrës dhe asaj të Ksamilit.

Ndërkohë, emigrantët e kthyer në Sarandë, Delvinë dhe Konispol kanë ndeshur në mungesën e aktiviteteve festive me rastin e festesë së lartpërmendur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›