Para dy vjetësh, shpërthimi në Dhëmblan
Një ngjarje e rëndë, ku dy ushtarakë humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën, pas shpërthimit zinxhir të municioneve të rënda që ndodheshin në grup-depot mbitokësore në fshatin Dhëmblan të Tepelenës në mesditën e 6 majit të vitit 2006. Tetar Namik Gjolena po transportonte një predhë nga depoja në makinën ku ishin depozituar municionet e tjera, duke sjellë më pas dhe shpërthimet e mëpasshme që i morën jetën vetë atij dhe duke plagosur tetar Ardian Hanaj, kapter Xhovalin Margegën dhe rreshter Ylli Haskon. Tetar Ardian Hanaj është dërguar më 7 maj 2006 për kurim të mëtejshëm në Ankona të Italisë, por nuk ka mundur t‘u mbijetojë plagëve të rënda.
Dy të plagosurit e tjerë, kapter Xhovalin Margega dhe rreshter Ylli Hasko janë kuruar në spitalin civil në Tiranë, në pavijonin e djegieve, pasi plagët e tyre kanë qenë më të lehta dhe pa rrezik për jetën.
Edhe disa ditë pas shpërthimit, shqetësimi dhe tmerri më i madh i banorëve, pushtetit vendor dhe përfaqësuesve të ushtrisë ishte prania kudo e predhave të pashkrepura dhe të shpërndara nga presioni gjithandej. Kryetari i komunës, Argjir Çela, tha në atë kohë se, pas valës së shpërthimeve, djegoret ndezëse të tyre për shkak të temperaturës së lartë dhe të përplasjeve janë bërë më të ndjeshme dhe ngacmimi më i vogël mund të shkaktojë shpërthimin që mund të rezultojë tragjik si për fëmijët dhe të rriturit, ashtu edhe për bagëtitë".
Trupat speciale të xhenierëve rrethuan në Dhëmblan një zonë me rreze rreth 3 mijë metra, por zona konsiderohej e rrezikshme edhe në një reze që shkonte 5 deri në 10 kilometra.
Për shkak të shqetësimit në rritje nga problemet me të cilat nisën të përballen banorët e Dhëmblanit, dy ditë pas ngjarjes, ata janë mbledhur dhe kanë miratuar një peticion që ia adresuan Kryeministrit Sali Berisha, ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dhe ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Sokol Olldashi. Sipas kryeplakut të Dhëmblanit, Bashkim Meçaj, peticioni kishte në përmbajtje 6 pika me kërkesa për vlerësimin më serioz të situatës. Së pari, banorët kërkuan pastrim urgjent të zonave të banuara nga predhat e shpërndara pas shpërthimit. Ata caktuan një afat prej dy muajsh për pastrimin e municioneve në ambientet e tjera, si dhe 6 muaj për largimin e të gjitha materialeve luftarake nga 6 depot e tjera rezerva që i shpëtuan shpërthimit. Veç të tjerash, ata kërkuan edhe inspektim për gjendjen e depove nëntokësore të Gudulishtit, ku janë të depozituara sasi të pallogaritshme armësh dhe municionesh luftarake qysh nga periudha e shtetit socialist.
Qeveria realizoi pjesërisht kërkesat e para të këtij peticioni, që kishin të bënin me pastrimin e zonës, por fshatarët nuk u shpërblyen asnjëherë për dëmet që pësuan nga ky shpërthim.
Harta
Tri bazat kryesore ku kryhet një aktivitet i ngjashëm me atë të Gërdecit
Elbasan, pikat e rrezikshme ku ruhen armë dhe municione
Në Qarkun e Elbasanit ruhen ende armët dhe municionet e grumbulluara në shumë rrethe të vendit, për t‘u asgjësuar në kuadër të projekteve evropiane të çarmatimit masiv. Në bashkëpunim me specialistë të NATO-s dhe të donatorëve të shumtë evropianë dhe amerikanë, prej tetë vjetësh, në pika të ndryshme të kësaj njësie administrative, janë grumbulluar dhe asgjësuar mijëra tonelata armë të dala jashtë përdorimit, po kaq volume të armatimeve, armëve të asgjësimit në masë si dhe municioneve të kalibrave të ndryshëm .
Baza e armatës së ushtrisë në Elbasan
Ndodhet në Repartin Ushtarak të fshatit Mengël, pesë kilometra në lindje të qytetit. Këtu janë grumbulluar të gjitha armatimet e shumë depove të Ushtrisë Shqiptare dhe janë asgjësuar rreth 1 milionë tonë armë të dala jashtë përdorimit, të cilat më pas janë dërguar për shkrirje në/////// metalurgji. Të ardhurat i kanë kaluar Ushtrisë Shqiptare, por brenda projekteve që janë zbatuar për çarmatimin. Ka ende sasi të tilla që priten të asgjësohen me sharrim, duke ndarë veç pjesët e drunjta dhe veç hekurin e destinuar për shkrirje.
Uzina e Lëndëve Plasëse në Mjekës
Ndodhet në jug të qytetit të Elbasanit, në fshatin Mjekës. Uzina tashmë e ka ndërruar destinacionin e saj, nga uzinë për prodhime ushtarake, në uzinë për përpunimin e lëndëve plasëse të përdorimit civil vendas dhe të huaj. Impianti më i fundit modern për asgjësimin e municioneve është ndërtuar në dalje të uzinës, brenda territorit të saj, ku janë aplikuar projekte të financuara nga vende anëtare të bllokut të NATO-s. Këtu asgjësohen në furra elektrike të gjitha llojet e municioneve, ndërsa gëzhojat i bashkohen sasive të shkrirjeve për skrap po në Metalurgjik. Një pjesë e mirë e municioneve çaktivizohen nga specialistë të mirëfilltë të industrisë ushtarake, që janë të kualifikuar nga specialistë të huaj në këtë fushë. Një pjesë të municioneve që ruajnë sasi të konsiderueshme baruti, ////////////////kjo lëndë ndahet veç dhe rezervohet në magazina të sigurisë së lartë për t‘u përdorur për nevoja të industrisë //////po ushtarake në aspektin civil.
Uzina ushtarake e Çekinit në Gramsh
Ndodhet në jugperëndim të qytetit të Gramshit, 7 kilometra larg dhe punon në bashkëpunim me uzinën e Mjekësit të Elbasanit. Çaktivizohen fishekë të kalibrit të lartë, baruti i të cilëve përdoret për nevoja civile. Ka një linjë të veçantë të prodhimit të armëve të rralla dhe speciale të gjahut për eksport dhe punon me porosi. Depot e grumbullimit dhe të mbajtjes janë sipas kërkesave që kërkojnë prodhimet ushtarake të karakterit plasës. Shpesh inspektohet dhe kontrollohet nga ekspertë të Ministrisë së Mbrojtjes .
Sarandë
Pranë depove janë ngritur dhjetëra shtëpi
Në të gjithë rajonin jugperëndimor të vendit që përfshin bregdetin jonian, rrethet Sarandë e Delvinë, deri në qytetin kufitar të Konispolit, gjenden shumë pak depo armatimi. Burime ushtarake bënë të ditur për "Shqip" se "aktualisht në këtë rajon në gjendje gatishmërie për qëllime ushtarake janë vetëm depot e armatimit të Distriktit Detar të Sarandës. "Këto objekte ushtarake janë në ruajtje nga ushtarë të armatosur të Repartit të Distriktit Detar dhe të siguruara në tunele". Megjithatë, zona përreth Distriktit Detar, ndryshe nga periudha e sistemit komunist që ishte e pabanuar, aktualisht rezulton zonë urbane me popullatë të ardhur rishtas pas viteve ‘90 me lëvizjet e lira dhe të pakontrolluara të zhvillimeve demokratike në Shqipëri. Në këtë pamje duhet parë edhe prania e depove të armatimit në këtë rajon. Deri në vitin 1997, në rajonin jugperëndimor të Shqipërisë ishin të pranishme disa depo të rëndësishme armatimesh dhe municionesh si në Vergo, Rusan, në Repartin Ushtarak të qytetit të Delvinës, në Hamallo, Dërmish, etj. Pjesa më e konsiderueshme e depove të mësipërme ushtarake u grabitën gjatë trazirave të vitit 1997.
Shkodër
Trazirat e vitit 1997 i boshatisën depot
Deri në vitin 1997, para trazirave të marsit të këtij viti, në Rrethin e Shkodrës numëroheshin 8 depo kryesore armatimi, që ishin në Vig Mnel, Bushat, Melgush, në kodrat e Tepes, tek ish-Zooteknika, në fshatin Rrenc dhe në Laç të Vaut të Dejës. Pas trazirave të vitit 1997, depot më të mëdha u hapën dhe u shkatërruan. Me qindra armë e municione, të cilave u ndihen edhe sot pasojat, ranë në duart e njerëzve. Gjatë hapjes së depove, nga shpërthimet e minave dhe nga pakujdesia e përdorimit të armëve, numërohen në Shkodër rreth 40 persona të plagosur. Ndërkohë 6 persona kanë vdekur nga hapja e depove. Gjithsesi statistikat për kohën kur ka ndodhur hapja e depove ka qenë tepër e vështirë për t‘u mbajtur. Por më tragjikja ndër hapjet e depove ka qenë ajo në Vig Mnelës, ku u plagosën rreth 20 persona e tre vdiqën. Shumë nga depot e armëve të hapura në vitin 1997 në Shkodër kanë ngelur tashmë si ndërtesa të ushtrisë që kryejnë vetëm funksionin e një dëshmitari të ‘97-ës, pasi sot ato nuk kryejnë asnjë funksion. Të tilla janë në Shkodër, depoja e armatimit pranë ish-Zooteknikës, depoja e Tepes dhe ajo e Bushatit.
Precedentët
Municionet janë grumbulluar kryesisht në depo nëntokësore, në pika strategjike
Çarmatimi, dy incidente
në Berat më 1999 dhe 2003
Raste analoge me pakujdesinë në punë në momentin e çmontimit të municioneve luftarake ka pasur edhe në Berat. Në vitin 1999, në Gjerovenë të Beratit, në momentin kur do të çminohej zona që ishte minuar rreth depove të armatimit dhe municionit nga pakujdesia u vra oficeri Aqif Karaj, i cili më pas u shpall dëshmor. Skandali nuk mori përmasa, sepse plasja ndodhi jashtë mureve të ndërtesave që ishin depo mbitokësore të mbushura me municion. Në vitin 2003, në depot e municioneve në Palikësht, të cilat janë nëntokësore (në tunele) në momentin kur bëhej çmontimi në paradhomën e tunelit një predhë plasi dhe plagosi rëndë ushtarakun Shkëlqim Sala, i cili sot është invalid në lirim. Shpërthimi zinxhir nuk ndodhi për shkak të llojit të predhës që po çmontohej, e cila ishte e kalibrit të vogël dhe për shkak të murit të betonit që ndante pjesën tjetër të vendndodhjes së municioneve që ishin grumbulluar. Në të dyja rastet, aksidenti nuk ka marrë përmasat e Gërdecit apo Dhëmblanit, pasi janë zbatuar masat paraprake të sigurimit teknik në raste çmontimi të municioneve luftarake.
Ndërkohë, territori i Qarkut të Beratit mbetet i mbushur me depo armatimi. Më poshtë po paraqesim vendndodhjen e depove kryesore të armatimit, që përbëjnë rrezik për banorët e zonës:
Në fshatin Mbreshtan, Berat, janë depot më të mëdha të ngjashme për nga sasia dhe lloji i municioneve me ato të grumbulluara në Dhëmblan të Tepelenës. Depot e Mbreshtanit janë nëntokësore, kryesisht për artilerinë e rëndë kundërajrore, tokësore dhe kundërtanke.
Në fshatin Palikësht janë depo mbitokësore municionesh, të cilat së fundi nuk kanë shumë municione për arsye të transferimit në Poliçan, ku bëhet çmontimi.
Në Gjeroven ka depo mbitokësore të përmasave të mëdha, në territorin e ish-Bazës së Armatës së Jugut.
Në Konizbaltë të Urës Vajgurore ka depo nëntokësore të përmasave të mëdha në Shkëmbin e Kuq.
Në Guhak dhe në Bugas të Skraparit, afër Çorovodës, janë depo nëntokësore në pikë të sigurt strategjike, të cilat nuk u prekën as në vitin 1997.
Në Radësh të Skraparit ka depo nëntokësore. Ndërsa në Gjerbës depot janë mbitokësore dhe nëntokësore dhe sot janë në minimumin e tyre të kapacitetit, për shkak të transportimit të municioneve në depot e tjera për në Poliçan ku bëhet çmontimi i tyre.
Në Bazën Ajrore të Kuçovës ka depo nëntokësore për artilerinë e aviacionit gjuajtës-bombardues.