Dita e katërt, me grevistët përballë zyrës së Berishës
Qielli i mbuluar nga retë dukej se ishte i vetmi favor për grevistët. Dielli nuk dukej në asnjë skaj të tij dhe temperatura nën çadra ishte optimale për të nisur një ditë të gjatë. Dita e katërt e grevës pritej të sillte edhe “viktimat” e saj, radhët e grevistëve priteshin të zvogëloheshin dhe “të fortët” do të rrinin gjatë. Doktor Sabit Brokaj përfundoi në orët e para të mesditës inspektimin e plotë të gjendjes shëndetësore të deputetëve dhe qytetarëve grevistë. Mëngjesi i djeshëm kishte shënuar edhe rastin e dytë kur një nga grevistët ishte shoqëruar me ambulancë drejt spitalit. Kaq mjaftoi që shqetësimi të vinte në rritje në sytë e mjekëve dhe drejtuesve të PS-së. Lajmet për shëndetin e grevistëve në orët e para të drekës së të martës, doktor Sabiti i ndau fillimisht me kreun e PS-së, Edi Rama dhe Gramoz Ruçin, në ambientet brenda çadrave. Pas daljes së të treve nga aty, Brokaj u ndal në hyrje të tyre për t’ju përgjigjur interesit të gazetarëve në lidhje me atë çfarë po ndodhte brenda. Teksa ishte duke shpjeguar në mënyrë të përgjithshme se çfarë i ndodh anës fizike të një njeriu teksa ka kaluar katër ditë dhe net pa ngrënë, një zile telefoni ia ndërpreu fjalën.
Të ikësh apo të qëndrosh...Deputetja greviste, Klodiana Spahiu, e cila prej dy ditësh është shtruar në Spitalin Ushtarak si pasojë e komplikacioneve, telefonoi doktorin për t’i kërkuar një “nder”. Pas një telefonate të shkurtër, i buzëqeshur Brokaj tregon: “Ishte Klodi, e kam pasur studente në mjekësi. Kërkonte që t’i thosha Ramës se ishte mirë me shëndet, në mënyrë që ta lejonte të kthehej në grevë”. Por doktori dukej se nuk kishte ndërmend t’ia bënte një favor të tillë deputetes greviste. “Pangrënia në vetvete është një problem i madh, po t’i shtosh këtu edhe komplikacionet shtesë, situata bëhet alarmante”, përsëriti ai, duke shtuar se nuk do t’ia rekomandonte askujt që kishte dalë me ambulancë nga çadra të rikthehej në grevë. Diabeti ishte frika më e madhe për doktorin. Sipas tij, Ramazan Ceka, grevisti i dytë që u shoqërua në spital, vuante pikërisht nga kjo sëmundje dhe qëndrimi i mëtejshëm në grevë do të ishte rrezik potencial për jetën e tij. Sipas Brokaj, deputeti Blendi Klosi ishte gjithashtu i sëmurë nga diabeti dhe për pasojë mbikëqyrja mjekësore mbi të ishte e rreptë. Ashtu siç edhe pritej, mesdita e djeshme do të nxirrte jashtë çadrës edhe një tjetër grevist. I riu vlonjat, Mario Sina, iu “dorëzua” ambulancës nga mjekët e kampit dhe gjatë rrugës për në spital u shoqërua nga vetë kryetari i PS-së, Rama. Pas Sinës, një tjetër grevist iu drejtua spitalit...
NATO në dyert e kampitKampi i socialistëve në grevë, dje ngjante më solemn se më parë. Akuzat e ditës së parë, se protestuesit e PS-së kishin djegur nën këmbët e Kryeministrisë edhe një flamur të NATO-s, i kishte vënë në veprim organizatorët e grevës. Në hyrje të çadrës kryesore të kampit, ku prej katër ditësh ndodhen rreth 200 socialistë, valëvitej një flamur i NATO-s dhe një tjetër i Bashkimit Europian. Poshtë tyre, rojat socialistë të kampit kishin marrë më shumë hije dhe gati të dukeshin si luftëtarë të vjetër, të cilët ruanin portat e ndonjë kampi luftarak. Por sapo hapej pak dera e improvizuar, rregulli që mbizotëronte në hyrje, përthyhej nga qëndrimet spontane të grevistëve që qëndronin brenda. Krevatet e çrregullta, sende të hedhura përtokë, qëndrimet e ndryshme të secilit prej tyre tregonin për “kaosin e rregullit” të grevës drejt natës së pestë të saj.
#