Eurobondi, ekspertët: Pro dhe kundër borxhit 400 milionë euro
Në javën e dytë të negociatave dhe pritjes për emetimin e eurobondit me vlerë 400 milionë euro, ekspertët e ekonomisë gjykojnë në parim se janë pro operacionit më të madh financiar. Megjithatë, të ndarë në pikëpamje të ndryshme, analistët e financave publike pranojnë se borxhi do të krijojë risqe të tjera në raport me valutën, por nga ana tjetër do të avantazhonte bankat e nivelit të dytë për më shumë suport në kreditimin e ekonomisë. Arben Malaj, ish-ministër i Ekonomisë, dhe deputet e PS-së, e vë theksin të arsyet që e shtynë qeverinë të marrë borxh në këtë kohë krize. “Huaja e shtrenjtë që qeveria mori në vitet 2008 dhe 2009 është një kosto e rëndë për buxhetin. Qeveria pranon se rreth 80% e eurobondit do të jetë për ristrukturimin e kredisë 2008-2009. Një fakt që duhet pranuar është se kostoja e kësaj huamarrjeje vlerësohet të jetë më e ulët se kredia tregtaro-elektorale e viteve 2008-2009. Në këtë këndvështrim, kjo huamarrje është e domosdoshme për të reduktuar presionet e shërbimit të borxhit mbi deficitin buxhetor”, tha Malaj. Për Sherefedin Shehun, ish-zv.ministër i Financave dhe deputet e PD-së (bashkë me Malajn, anëtarë të Komisionit Parlamentar për Ekonominë), emetimi i eurobondit lidhet me nevojën e zhbllokimit të kreditimit për ekonominë dhe shlyerjen e kredisë të Durrës-Kukës. “Eurobondi sjell euro nga jashtë dhe rrit likuiditetin në ekonomi dhe sistemin tonë bankar, forcon lekun kundrejt euros dhe krijon hapësirë dhe presion mbi bankat për kreditimin e sektorit privat”, thotë Shehu, duke shpjeguar më tej qëllimet e përdorimit. “Së pari do të shlyhet borxhi i marrë vitin e kaluar për qëllimin e vetëm të uljes së kostos së borxhit publik. Pra huamarrja neto e këtij viti është rreth 200 milionë euro dhe jo 400 milionë, saç është shuma e emetimit. Së dyti, huaja neto do të përdoret për financimin e projekteve të mëdha të investimeve, të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në rritjen e ekonomike të vendit”, nënvizon eksperti i financave, Shehu. Por shërbimi i borxhit në valutë të huaj, e vendos qeverinë në binarë risku, që sipas deputetit Malaj, duhet pasur kujdes. “Shërbimi i borxhit të huaj (pagesa e kësteve dhe interesave) do të kërkojë që qeveria të ketë më shumë të ardhura në valutë. Kriza e borxheve në monedhë të huaj ka dëmtuar rëndë ekonomitë e shumë vendeve, jo vetëm gjatë krizës globale”, thekson ish-ministri.
Malaj dhe Shehu kanë analizuar edhe vlerësimet e fundit që “Standard&Poor’s” dhe “JCR” i bënë ekonomisë së vendit, me notë B+. “Kompanitë ndërkombëtare të vlerësimit të riskut kanë një sistem që varion nga shumë i mirë (AAA) në shumë i keq (D). Niveli B+ vlerëson faktin që situata aktuale garanton kthimin e tij, por qartëson se kjo aftësi është shumë vulnerabël ndaj zhvillimeve ekonomike të vendit. Me nivelin B+ qeveritë në përgjithësi janë në pozicion të disfavorshëm gjatë negociatave”, thotë Malaj. Kurse Shehu e gjykon ndryshe, duke i krahasuar raportet me vendet e tjera dhe nivelin e borxhit. “Vlerësimi B+ është një konfirmim i vlerësimit të ‘Moody’s’ dhe shpreh besimin e analistëve ndërkombëtarë të riskut për ecurinë pozitive të ekonomisë shqiptare. Emetimi i eurobondit nuk është një hua për të përballuar rrezikun apo që rrit borxhet, mbasi bondet janë instrumente që mund të emetohen kur nuk ka rreziqe. Po të jesh i rrezikshëm, askush nuk e blen atë, ashtu siç po ndodh sot me qeverinë greke”, përfundon Shehu. Interesi i eurobondit 400 milionë euro synohet të jetë jo më shumë se 7.5 për qind, me afat shlyerje 5 vjet dhe me normë fikse.
#