E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Dita e letërsisë spanjolle" festohet në Tiranë

Jo vetëm dita botërore e librit, por edhe "dita e letërsisë spanjolle", sepse 23 prilli përkon me përvjetorin e vdekjes së Migel Servantesit dhe festën e Shën Jordit në të cilën sipas traditës që nga Mesjeta dhurohen libra dhe trëndafila. Prej vitesh Ambasada e Spanjës në Shqipëri ka promovuar kremtimin e kësaj dite me një homazh special për Don Kishotin, duke iu bashkuar iniciativës së ndërmarrë në atë ditë në kryeqytetet më të mëdha të botës. Njësoj si vitin e kaluar, edhe këtë 23 prill do të mbahet leximi i dytë publik i Don Kishotit në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Ceremonia konsiston në dhënien e çmimeve të konkursit të dytë "Don Kishoti i Mançës". Gjithashtu këtë vit, për herë të parë në ditën e letërsisë spanjolle do t‘u bëhet homazh edhe atyre autorëve, veprat e të cilëve janë përkthyer nga shqipja në cilëndo nga gjuhët e Spanjës apo prej këtyre gjuhëve në shqip. Gjithashtu, nesër pasdite do të prezantohet libri i Ramón Sánchez Lizarralde, "Shqipëria në pasqyrën e letërsisë". Autori, i cili do të jetë i pranishëm në këtë aktivitet, do të dekorohet me Urdhrin e Meritës Civile të Spanjës si mirënjohje për punën e tij si përkthyes i letërsisë shqipe në spanjisht dhe për kontributin ndaj njohjes së përbashkët ndërmjet Spanjës dhe Shqipërisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›