Ekspozohen në Milano trofetë e Ibrahim Kodrës
U festua në Milano 91-vjetori i lindjes së piktorit të madh shqiptar, Ibrahim Kodra. Në shtëpinë e tij muze, për herë të parë janë ekspozuar të gjitha trofetë, të cilat piktori i ka fituar ndër vite duke rrëfyer në këtë mënyrë edhe suksesin tij jo vetëm në vendin fqinj, Itali, ku jetoi e punoi, por edhe më gjerë. Trofetë, medaljet dhe certifikatat e mirënjohjes, i përkasin periudhës që nga viti 1947 deri pak kohë para ndarjes nga jeta. Kuratori i testamentit të piktorit Kodra, Fatos Faslliu, thotë se janë mbi 100 trofe të tillë, megjithatë për këtë ekspozitë kushtuar ditës kur erdhi në jetë piktori, janë përzgjedhur dhe ekspozuar rreth 60 prej tyre.