"Tetë vjet për të sjellë ‘Skënderbeun‘ në Tiranë"
Skënderbeu, luftëtar dhe njeri. Një histori e shkruar në letër për të mos u harruar dhe legjendë që kapërcen shekujt. Një Hero Kombëtar për shqiptarët, një simbol i luftës për liri për shumë popuj, në vite ka vënë përballë historianët, ka ngacmuar fantazitë e shkrimtarëve e ka frymëzuar piktorët. Por i ka munguar ekranit të madh. Një film dokumentar rikthen heroin.
"The Scanderbeg, Warrior King"(Skënderbeu, Mbreti luftëtar i Shqipërisë), një prodhim i "Illyria Entertainment" dhe "Fantastic Films International" do të shfaqet nesër premierë, ora 19:00 në kinemanë "Imperial" dhe në vazhdim në kanalin e "DigitAlb", "DigiGold". Është një bashkëpunim disavjeçar i regjisorit shqiptaro-amerikan, Nik Gjonaj, dhe historianit Nua Gjelaj. Një dokumentar i menduar në parametrat e realizimeve të mëdha kinematografike, vjen si një rrëfim historik mbi veprën monumentale të Marin Barletit "Historia për jetën dhe bëmat e Skënderbeut, princit të epirotëve". Një vepër filmike e munguar prej vitesh për Skënderbeun, vjen në një kohë kur debatet për heroin kanë përfshirë të gjitha nivelet e opinionit publik. Nik Gjonaj dhe Nua Gjelaj u bashkuan rreth tetë vjet më parë për të sjellë një Skënderbe "të gjallë". "Kam pasur një dëshirë të hershme të realizoja një film artistik për Heroin Kombëtar, por për shkak të pamundësive financiare, vendosëm të bëjmë një film dokumentar. U takuam pikërisht nga një pikturë e Skënderbeut të realizuar nga Gjelaj, të cilën unë e bleva përmes internetit. Pas një takimi ku diskutuam mbi interesat e përbashkëta kulturore, adhurimi për Skënderbeun na nxiti në këtë realizim që i shfaqet sot publikut", thekson regjisori Nik Gjonaj, i lindur në Detroit, Masachustes. "Ne kemi synuar një dokumentar që të sjellë një portret të plotë të Gjergj Kastriotit; atij luftëtar, njeri, strateg; një portret përmes të cilit evokohet edhe historia e popullit shqiptar të asaj kohe", vazhdon më tej Gjonaj. Historiani Nua Gjelaj, njëkohësisht edhe piktor, është ai që ka hulumtuar në arkiva, në historitë e shkruara nga shqiptarë e të huaj mbi Skënderbeun për të shkruar skenarin e dokumentarit. "Dokumentari është bazuar mbi veprën e Marin Barletit, ndonëse gjatë këtyre viteve kam lexuar një pjesë të mirë të materialeve historike që dokumentojnë këtë periudhë. Sigurisht që Barleti ka gabime kronologjike, gabime të datave historike, por ajo që mua më ka interesuar në realizimin e këtij dokumentari është vërtetësia me të cilën ai përshkruan ngjarjet", shprehet Gjelaj. Dokumentari përbëhet nga shtatë pjesë, të cilat nisin me një historik të Perandorisë Osmane, vazhdojnë me pushtimin e Shqipërisë dhe daljen në skenë të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Vendet e xhirimit nisin nga pyjet e Holly-t në Michigan, në një kishë të vjetër, në Londër, në Krujë, në Kosovë. Kanë udhëtuar edhe në Romë për të marrë dëshmitë e historianëve që punojnë në arkivat sekrete të Vatikanit. Kanë filmuar edhe përkrenaren e shpatat origjinale që ruhen në muzeun e Vjenës. Regjisori tregon se ka qenë e vështirë t‘i jepje një trup dhe fytyrë Skënderbeut. Po ashtu gjithë personazheve të tjerë. Përkrenarja, shpata, veshjet, sjellja, ka qenë një tjetër sfidë për t‘u përmbushur. Anton Gojcaj, një aktor me origjinë shqiptare interpreton Skënderbeun. "Unë kam realizuar një Skënderbe sipas përfytyrimit që përftova nga të gjitha leximet, pas gjithë portreteve që atij i janë realizuar ndër vite nga artistë të ndryshëm. Dikush më ka bërë edhe pyetjen se ku e di ti që mjekrën e ka pasur të zezë? Veshjet po ashtu kanë kërkuar vëmendje. Diku thuhej se ai vishej si fisnikët venedikas, disa të tjerë thonë se ka veshur kostum verior. Nua Gjelaj, i cili është marrë me skicimet e tyre së bashku me Katerina Boçin, kanë përgatitur gjithë veshjet që mbajnë personazhet në dokumentar, interpretuar nga aktorët Zef Lulgjuraj, Tom Ivanaj, Mirash Gjelaj, Iliriana Sinishtaj, Mario Malotaj, Gjergj Micakaj, Luke Micakaj etj". Dokumentari vjen i dubluar në shqip nga aktorë shqiptarë, ku Virgjil Kule ka marrë rolin e rrëfyesit. I shfaqur tashmë në Detroit, Nju Jork dhe Los Anxhelos, dokumentari është pasuar me kritika pozitive, duke ngjallur interesin e kompanive të mëdha filmike. Dy çmime të fituara në seksionin e dokumentarit mes mijëra filmave të tjerë, i kanë bërë realizuesit të shijojnë më tej frytet e punës. "Kemi fituar dy çmime dhe na kanë pranuar edhe në një festival filmash në Kaliforni. Dokumentari është vlerësuar si dokumentari më i mirë në "Telly Award" mes 18 mijë realizimeve të tjera dhe si dokumentari më i mirë historik mes 15 mijë prodhimeve të tjera në "Internacional Davi Award", shprehet regjisori Gjonaj. Pas Tiranës, Heroi Kombëtar do të "udhëtojë" edhe drejt Kosovës.