Klasat, me pak nxënës Shkollat e reja në përvojën e mësimdhënies
Mes luleve, gëzimeve, lotëve dhe urimeve për një vit të mbarë shkollor ka nisur dje dita e para e shkollës për shumë nxënës. Më të qetë dhe më pak të zhurmshme kanë qenë shkollat të cilat janë hapur prej pak vitesh. Vitin e kaluar, në kryeqytet, u hapën katër shkolla të reja, një prej të cilave është edhe "At Zef Pllumbi", e vendosur në zonën e Selitës. E ndërtuar plotësisht sipas parametrave bashkëkohorë me ambiente të bollshme, 26 klasa dhe 11 laboratorë mësimi, shkolla i ka uruar mirëseardhjen 600 nxënësve të saj. "Numri i nxënësve në klasa këtu nuk i kalon 28, ndërsa maksimumi është 32. Edhe pse është shkollë e re, gjithçka funksionon për mrekulli. Të 26 klasat janë të rregullta dhe të pajisura me të gjithë bazën e nevojshme materiale. Po ashtu edhe 11 laboratorët janë në funksionim të plotë", thotë drejtoresha e shkollës, Hyrije Xhafa. Dje, në bankat e shkollës u ulën për herë të parë 85 vogëlushë.