Dita e parë e shkollës jashtë metropolit
Edhe tej metropolit jetohet. Nuk ka jetë të zhurmshme, “gara” makinash e fustanesh, por ama jetohet. Regjisorit Dionis Papadhimitri (të cilit nuk mund t’i thuash më i ri pas disa sprovave të suksesshme) i mjaftojnë 14 minuta, për të na e kujtuar këtë. “Dita e parë e shkollës”, titullohet filmi me metrazh të shkurtër, me të cilin Papadhimitri konkurroi në edicionin e gjashtë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit me metrazh të shkurtër, TIFF, ku edhe fitoi çmimin si filmi më i mirë shqiptar. Me filmin e tij, regjisori na çon në një fshat të vogël, malor, ku edhe dita e parë e shkollës mund të kthehet në një ditë të jashtëzakonshme. Personazhet janë njerëz të thjeshtë, një fëmijë shkolle, mësuesi, nëna... Filmi është një prodhim i “Papadhimitri Film Production” dhe vjen kryesisht si një krijim i familjes Papadhimitri. Ngjarja e filmit është mbështetur mbi një skenar të dramaturgut Stefan Çapaliku, me drejtor fotografie Spartak Papadhimitrin, piktor kostumesh Ardi Asllanin, asistent regjisor Klajd Papadhimitrin. Një ngjyrim interesant filmit i jep edhe muzika e kompozuar nga Mark Luli. Në rolet e pakta të filmit interpreton një grup aktorësh, kryesisht shkodranë. Kështu, në rolin e Gjinit interpreton Luis Bilali, në rolin e Julianit, Jozef Shiroka, në atë të Nazmiut, Kol Kaftalli, rolin e drejtorit të shkollës Frederik Fistani dhe rolin e nënës së Gjinit, Paskualina Shllaku. Pas marrjes së çmimit filmi u rishfaq dje në mbrëmje në Kinemanë “Imperial”, në orën 19.00. Pasi ka tentuar suksesshëm në filmin me metrazh të shkurtër, Papadhimitri do të nisë një tjetër projekt filmik, por këtë herë në fushën e dokumentarëve. “HOFFILM” dhe Televizionet ARTE, ORF, NCRV, realizojnë një cikël dokumentarësh në të gjithë botën, me titullin “Future express”. Duke vijuar eksperiencën në filmin “Dita e parë e shkollës”, ku shkëput një copë jete larg kryeqytetit, Papadhimitri do të mbledhë histori njerëzore, por këtë herë të vërteta dhe jo të krijuara, në skaje të ndryshme të Shqipërisë.