Mbrojtje për parkun arkeologjik të Antigonesë
Mbrojtje nga shteti për parkun e Antigonesë. Sipas kreut të komunës, Ylli Muho, nga 12 zona turistike, të cilat janë vizituar mjaft kohët e fundit, vetëm dy prej tyre janë në mbrojtje nga shteti, ndërsa pjesa e ngelur qëndron në mëshirë të fatit. “Parku arkeologjik i Antigonesë, i shpallur Monument Kulture në vitet ’60, vetëm në vitin 2005 përfitoi statusin aktual të parkut dhe kjo falë një pune voluminoze të bërë nga komuna dhe aktorë të tjerë të profilit arkitektonik”, u shpreh Muho. Po të njëjtin status ka edhe Porta e Vaso Netit në fshatin Saraqinishtë, e cila daton në shekullin XIX dhe konsiderohet si më e madhja në zonën e Lunxhërisë me gdhendje të ndryshme, duke filluar nga figura shpendësh, kafshësh etj. Për kreun e Komunës së Antigonesë, nevojitet një restaurim gjeneral i saj, pasi ka një vlerë me të vërtetë të rrallë. Krahas këtyre dy monumenteve të mbrojtur, figurojnë edhe burimi ujor në fshatin Tranoshishtë, burimi ujor i Lepushetit, kisha e Shënkollit, Shëndelliut dhe Shën Gjergjit në fshatin Saraqinishtë, pylli i Manastirit, artizanet e Antigonesë, kostumi i Lunxhërisë, Kroi në fshatin Saraqinishtë, rrapi shekullor në fshatin Tranoshishtë, Gjinofshati një zonë e vjetër e pabanuar si dhe Manastiri i Spilesë. Komuna e Antigonesë shtrihet në zonën lindore të rrethit të Gjirokastrës mes dy përrenjve, ai i Pesjakut dhe i Levendit. Komuna ka një popullsi të përzier ortodokse, e cila konsiderohet autoktone dhe myslimane e ardhur në vitet ‘50 nga zona e Tepelenës.