E Diel, 1 Nëntor 2026

Hapet konkursi “10 Personalitetet e Vitit”

 

Hapet konkursi “10 Personalitetet e Vitit”. Që sot qytetarët e Tiranës do të kenë mundësi të votojnë për figurat e njohura të listuara nga Bashkia e Tiranës. Më tej në një mbrëmje gala, enkas për këtë ngjarje, do të jepet dhe çmimi për më të mirin. “Pa kritere të ngurta, por me arsyetim të thjeshtë dhe njerëzor, secili ka të drejtë të propozojë dhe votojë persona të njohur apo qytetarë të thjeshtë, të cilët i kanë ofruar Tiranës me veprën e tyre modeste”, bëri me dije dje Bashkia e Tiranës. Sipas këtij institucioni, njerëzit që do të propozohen, pavarësisht nga profesioni, duhet të jenë shembull frymëzimi për të tjerët. Fatos Kongoli, Halim Kosova, Ana Qendro, Sotir Qirjaqi, Familja Kika, Afrim Koçi, Kristo Frashëri, Farfurie Xhaja, Xhevdet Bashllari dhe Timo Flloko kanë qenë titullarët e “10 Personalitetet e Vitit” për vitin 2007. Votimi do të qëndrojë i hapur deri më datë 24 dhjetor. Më pas, të dhënat e mbledhura do t’i dorëzohen një jurie prestigjoze, të përbërë nga emra të njohur në fushën e artit, letrave, sportit, biznesit, sociale etj., që do të vlerësojë propozimet dhe votimet e qytetarëve, të ardhura në ditët pararendëse. Pranë emrit të propozuar dhe të votuar me rrugë elektronike dhe postare, duhet vendosur arsyeja për të cilën është përzgjedhur dhe mund të propozohen vetëm 10 apo më pak emra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›