ISKSH: Ja 10 sëmundjet më të shpeshta te shqiptarët
Zirina LLambro
Hipertensioni vijon të jetë në top-listën e sëmundjeve më të përhapura te shqiptarët. Veç tij Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor rendit edhe 9 sëmundje të tjera, prej të cilave vjel fatura të kripura. Janë më shumë se 2 milionë dollarë që ISKSH ka shpenzuar për t’u mundësuar falas ose pjesërisht falas, medikamentet e pacientëve të prekur prej tyre. Krahasuar me vitet e kaluara, shifrat shënojnë rritje çka do të thotë se sëmundjet kronike po përhapen gjithnjë e më shumë. Vetëm barnat për hipertensionin i kanë “marrë” ISKSH-së 600 milionë lekë nga buxheti. Diabeti është një tjetër diagnozë e kushtueshme. Në të gjithë vendin numërohen më shumë se 38 mijë të prekur. Nga të dhënat rezulton për sigurimin falas të insulinës dhe rimbursimin e medikamenteve të tjera të 199 mijë recetave janë harxhuar 293 milionë lekë. Të tretët në listë jo aq për nga numri i të sëmurëve por për nga shtrenjtësia e ilaçeve janë talasemikët. Për 287 pacientë arkës së ISKSH i kanë ikur gati 253 milionë lekë. I vetmi ndryshim, krahasuar me vitet e tjera, është zbritja dy vende më poshtë e sëmundjeve të zemrës. Ndërsa për dy vite me radhe ky grup ka qenë i treti, ndërsa sa i përket kostos tashmë personat me probleme kardiake renditen të pestët. Vendin e tyre në grafikun e diagnozave më të shtrenjta e kanë zënë talasemia e astma bronkiale. Kjo e fundit ka shënuar një shtim të rasteve. Sipas mjekëve, ndotja e ajrit mbetet një nga shkaqet kryesore. Për këtë vit janë trajtuar më shumë se 15 mijë pacientë. Më tej në listë vijnë insuficienca kronike e veshkave, skizofrenia, kanceri i gjirit dhe prostata. Sipas mjekëve specialistë, vihet re një rritje e personave që vuajnë nga sëmundjet mendore. Për skizofreninë numri i tyre ka arritur në 7250 vetë, ndërsa epileptikë numërohen gati 9 mijë vetë. Sa i përket kancerit të gjirit, te femrat numri i rasteve është gjithnjë e më në rritje, por për fat të keq vetëm gjysma e tyre mund të përfitojnë nga rimbursimi. Pjesa më e madhe humbin jetën brenda vitit. Kjo pasi sëmundjen e zbulojnë në stad të avancuar. Sipas të dhënave që vijnë nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, për vitin 2008 kanë përfituar rimbursim 260 mijë pacientë për 10 diagnozat më të përhapura. Mbetet pa u mbyllur vetëm bilanci i 3 muajve të fundit, për të bërë një grafik për numrin total të shpenzimeve.
Diagnozat
Hipertensioni
Paciente:158 mijë
Lekë:634 milionë
Diabeti
Pacientë:38 mijë
Lekë:293 milionë
Talasemia
Paciente:287
Lekë:252 milionë
Astma
Pacientë: 15 500
Lekë:206 milionë
Sëmundjet kardiake
Pacientë:20 400
Lekë :204 milionë
Veshkat
Pacientë:1558
Lekë:142 milionë
Psikoza skizofrenike
Pacientë:7251
Lekë:132 milionë
Tumori i gjirit
Pacientë:2146
Lekë:104 milionë
Epilepsia
Pacientë:8707
Lekë:103 milionë
Prostata
Pacientë:8781
Lekë:78 milionë